Kanosje në Ferizaj, katër persona shoqërohen në polici, sekuestrohen tri armë me leje

Prishtinë | 26 Shk 2026 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka iniciuar rast për veprën penale “Kanosje” pas një incidenti të raportuar në Ferizaj, ku katër persona janë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejshme.

Me autorizim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, ndërsa gjatë veprimeve hetimore janë siguruar edhe prova materiale.

“Gjatë veprimeve hetimore, hetuesit policorë kanë siguruar një video-incizim dhe një audio-incizim, të cilat i janë përcjellë prokurorit të shtetit si prova materiale”, bëhet e ditur në komunikatë.

Policia njofton se gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe armë zjarri dhe municion.

“Tek i dyshuari E.F. (30 vjeç) janë sekuestruar dy armë zjarri (pistoleta) dhe 63 fishekë, ndërsa tek i dyshuari tjetër N.M. (57 vjeç) është sekuestruar një armë zjarri (pistoletë) dhe 10 fishekë. Për armët e sekuestruara, të dyshuarit posedonin leje valide”, thuhet tutje.

Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i rastit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”, ndërsa pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Të ngjashme