“Meriton rol qendror te Juventusi” – Tuttosport shkruan për Edon Zhegrovën

Prishtinë | 26 Shk 2026 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Edon Zhegrova ishte një nga protagonistët e mbrëmjes dramatike të së mërkurës për Juventusin në përballjen ndaj Galatasarayt.

Edhe pse humbi një rast të artë në sekondat e fundit që do ta çonte rezultatin në 4-0, paraqitja e tij u vlerësua si një ndër më të mirat e sezonit për bardhezinjtë.

Gazeta italiane “TuttoSport” i ka kushtuar një analizë të veçantë reprezentuesit të Kosovës, duke theksuar ndikimin e tij të menjëhershëm në lojë.

Sipas mediumit, Zhegrova u aktivizua nga trajneri Luciano Spalletti së bashku me Jeremy Boga në një moment kyç, duke përfituar nga ndryshimet taktike që lanë në hije Francisco Conceição dhe Jonathan David.

“Në krahun e djathtë, kosovari u shfaq energjik dhe i papërmbajtshëm, duke ushtruar presion të vazhdueshëm dhe duke krijuar epërsi në duele individuale. Aksioni që solli golin e dytë të Juventusit, të realizuar nga Federico Gatti, nisi pikërisht nga këmbët e tij – me driblim, shpejtësi dhe zgjedhje të saktë në momentin vendimtar”, shkruan mediumi italian i afërt me Juventusin.

Po ashtu Tuttosport, vë në dukje edhe që në kohën shtesë, Zhegrova ishte pranë golit, por u ndal nga portieri turk Ugurcan Çakır.

Megjithatë, kjo nuk e zbeh performancën e tij, që sipas “TuttoSport” konfirmon se ai është gati të marrë një rol më të rëndësishëm në skuadër.

Pas një sezoni të kaluar të shoqëruar me dëmtime, 25-vjeçari duket se ka gjetur formën optimale dhe është kandidat serioz për t’u shndërruar në pikë referimi në repartin ofensiv të Juventusit. Mediumi italian thekson se Spalletti duhet ta konsiderojë atë si një nga figurat kyçe për projektin e ardhshëm bardhezi.

Ndërkohë, paraqitjet e tij të mira janë një lajm i shkëlqyer edhe për Kosovën, që në muajin mars do të luajë ndeshje vendimtare në rrugëtimin drejt Botërorit 2026, me sfidën ndaj Sllovakisë më 26 mars që pritet me interes të madh.

Të ngjashme