Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e datës 20 shkurt 2026, ka hedhur poshtë si të pabazuar kallëzimin penal të profesorit Enver Hasani, lidhur me pretendimin e tij se avancimi në profesor të rregullt në vitin 2022 i rektorit aktual të Universiteti i Prishtinës, Arben Hajrullahu, është i paligjshëm.
Sipas komunikatës, Prokuroria ka konstatuar se “pretendimet e ngritura nga paraqitësi i kallëzimit penal, Enver Hasani, nuk mbështeten në fakte”.
Në njoftim thuhet se me marrjen e detyrës së rektorit më 1 tetor 2024, Hajrullahu kishte gjetur një shkresë të përcjellë me dëshmi përkatëse nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, ku sipas komunikatës dëshmohet se profesori Hasani ka bërë deklarim të rremë nën betim pranë kësaj agjencie. Po ashtu, sipas njoftimit, rektori kishte hasur edhe një vendim të Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës për masa disiplinore ndaj ish-rektorit dhe profesorit Hasani.
“Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që rrjedhin nga funksioni i rektorit, këto çështje janë trajtuar në mënyrë procedurale, duke u referuar në organet kompetente për shqyrtim të pavarur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe janë proceduar në strukturat përkatëse të brendshme të universitetit”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu bëhet e ditur se me vendimin e datës 18 prill 2025, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Hasanit ndaj rektorit Hajrullahu në denoncimin e tij.
Në reagim theksohet se rektori Hajrullahu, që nga marrja e detyrës, ka ndërmarrë hapa drejt forcimit të ligjshmërisë, meritokracisë dhe mbrojtjes së pronës institucionale të UP-së.
“Këto përpjekje për reforma strukturore dhe rikthim të standardeve institucionale kanë prodhuar reagime dhe kundërshtime nga aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe individë që kanë qenë të përfshirë në praktikat e kontestuara”, thuhet më tej.
Sipas komunikatës, akuzat dhe denoncimet ndaj rektorit shihen si pjesë e një dinamike më të gjerë që synon krijimin e paqartësive në opinionin publik dhe ushtrimin e presionit ndaj proceseve reformuese, ndërsa theksohet se angazhimi për transparencë, sundim të ligjit dhe integritet institucional mbetet prioritet i udhëheqjes aktuale të universitetit.