Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca.
Bëhet e ditur se Spanca e uroi Kryeministrin për mandatin e ri qeverisës dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit institucional në funksion të forcimit të llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik.
“Gjatë takimit, Auditorja e Përgjithshme informoi Kryeministrin për angazhimet dhe përpjekjet në rritjen e performancës së institucionit, duke theksuar avancimet e arritura në profesionalizëm, pavarësi dhe zbatimin e standardeve të auditimit. Ajo nënvizoi se besimi i qytetarëve ndaj institucionit të Auditorit të Përgjithshëm është rritur ndjeshëm, nga 33% në fillim të mandatit në 77% aktualisht”, thuhet në njoftim.
Spanca thuhet se rikonfirmoi përkushtimin e saj që institucioni të vazhdojë të kryejë misionin me integritet, paanshmëri dhe profesionalizëm, duke garantuar mbikëqyrje efektive të shpenzimit të parasë publike dhe duke kontribuar në forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
