Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Shefin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Ambasadorin Gerard McGurk.
Ambasadori McGurk e uroi Kryeministrin për mandatin e ri qeverisës dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet OSBE-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend, si dhe për rëndësinë e avancimit të reformave demokratike. Në veçanti, u theksua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm në fushën e të drejtave të komuniteteve dhe sundimit të ligjit. Kryeministri e falënderoi Ambasadorin McGurk dhe Misionin e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për kontributin në forcimin e institucioneve demokratike”, thuhet në njoftim.
