Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Juventus po shqyrton mundësinë e transferimit të mesfushorit të Bayern Munich, Leon Goretzka, si lojtar i lirë gjatë verës.
Megjithatë, lista e bardhezinjve përfshin edhe emra si Bernardo Silva, Marcos Senesi dhe Zeki Celik.
Juventus ka vënë në shënjestër disa lojtarë, kontratat e të cilëve skadojnë në qershor, dhe sipas “Gazzettas”, opsioni më i fundit që ka dalë në skenë në Torino është Goretzka.
Mesfushori gjerman, i lidhur më herët edhe me një kalim te Milan, ka njoftuar pak javë më parë se nuk do ta rinovojë kontratën me Bayern Munich.
Sipas raportimit, mundësia për të zhvilluar bisedime për reprezentuesin gjerman lindi gjatë negociatave për një tjetër objektiv të Juventusit, mbrojtësin e Bournemouth, Senesi, pasi të dy lojtarët përfaqësohen nga të njëjtët agjentë.
Dy lojtarë të tjerë që mund të transferohen si të lirë dhe që janë në radarët e Juventusit për verën janë mesfushori i Manchester City, Bernardo Silva, si dhe mbrojtësi i Roma, Celik.
“La Stampa” kishte raportuar që në janar se Juventusi kishte nisur bisedime joformale me përfaqësuesit e Bernardo Silvës. Ndërkohë, agjenti i Celik ka mohuar se klienti i tij ka arritur tashmë një marrëveshje me bardhezinjtë.