Ish komandanti i UÇK-së, Shukri Buja ka shpallur kandidaturën për president të Republikës së Kosovës, duke paraqitur një propozim që, sipas tij, synon ta nxjerrë vendin nga bllokada institucionale dhe kriza e konstituimit të organeve shtetërore.
Në një postim publik, Buja u është drejtuar qytetarëve dhe liderëve të partive parlamentare, duke theksuar se situata aktuale kërkon zgjidhje të reja politike.
“Të nderuar qytetarë të Kosovës! Të nderuar kryetarë të subjekteve politike parlamentare! Kosova po gjendet në një rreth vicioz të konstituimit të organeve shtetërore, një bllokadë pa dalje. As zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje reale”, ka deklaruar ai.
Sipas Bujës, vendi ka nevojë për “një hap të guximshëm, të mençur dhe të qëndrueshëm”, duke shtuar se po paraqet “një propozim që e konsideroj zgjidhjen më të drejtë, më të qëlluar politikisht dhe më të qëndrueshme për kohën dhe rrethanat në të cilat ndodhemi”.
Ai e ka cilësuar propozimin si “një zgjidhje sfiduese, me një porosi të qartë për luftën çlirimtare dhe një mesazh të fuqishëm për drejtësinë”.
Duke folur për procesin e Dhomave të Specializuara, Buja ka rikujtuar se “janë vetë përfaqësuesit e popullit ata që, me votën e tyre, e miratuan rezolutën dhe e obliguan vetveten për procesin e Dhomave të Specializuara”, duke shtuar se “sot, po me votën e tyre, ata mund të japin verdiktin politik dhe moral të popullit për pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë”.
Fillimisht, ai përmendi si propozim ish-presidentin Hashim Thaçi.
“Propozimi im, i dalë nga zemra dhe mendja, natyrisht do të ishte ish-Presidenti Hashim Thaçi. Por duke njohur qëndrimet e LVV-së, të z. Kurti, të znj. Osmani dhe të koalicionit qeverisës, e kuptoj se kjo mund të jetë e vështirë politikisht e kalueshme”, është shprehur Buja.
Në vijim, ai ka theksuar se ky qëndrim refuzues “nuk mund dhe nuk duhet të vlejë për një personalitet tjetër të luftës”, duke shtuar se figura e propozuar “nuk përfaqëson interesa të ngushta partiake dhe nuk është figurë përçarëse”.
“Propozimi im është i qartë: z. Jakup Krasniqi”, ka deklaruar Buja, duke propozuar Jakup Krasniqi për postin e presidentit.
Sipas tij, Krasniqi është “një personalitet atdhetar, i sakrificës, i përkushtimit, profesionist dhe mbi të gjitha një figurë konsensuale”, duke theksuar se ai është “një njeri që sot ndodhet në burg, por nuk është i dënuar”.
Buja ka nënvizuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës “e përcakton qartë prezumimin e pafajësisë dhe rregullon edhe mënyrën e ushtrimit të funksionit të Presidentit në rast pamundësie të përkohshme”.
“Zgjedhja e z. Jakup Krasniqi si President nga deputetët e Kuvendit do të ishte verdikt i qartë politik i popullit të Kosovës. Do të ishte një mesazh i fuqishëm për drejtësinë ndërkombëtare”, ka përfunduar Buja, duke e cilësuar situatën aktuale si “moment historik për përgjegjësi”.