Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Kosova rikonfirmon mbështetjen për SHBA-të

Prishtinë | 01 Mar 2026 | 10:05 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmë vonë, me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar zhvillimet e fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, përkatësisht operacionin ushtarak “Epic Fury” të Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe forcave partnere kundër Republika Islamike e Iranit.

Sipas njoftimit, Kurti ka ritheksuar qëndrimin e institucioneve të Kosovës në raport me aleatët strategjikë.

“Qëndrojmë të palëkundur përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë ai.

Në njoftim theksohet se Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me SHBA-të, mbështet veprimet e ndërmarra ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran.

“Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështet veprimet e ndërmarra nga SHBA-të ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon”, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, Kosova ka shprehur solidaritet me qytetarët iranianë.

“Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore”, theksohet më tej.

Institucionet kanë bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend, ndërsa situata në Lindjen e Mesme po monitorohet nga afër.

“Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjik”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu është bërë thirrje për qytetarët që të informohen vetëm nga burime zyrtare.

“I bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile të informimit, dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe propagandës që kanë për synim destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë, tensioneve apo përhapjen e narrativeve kundër shtetësisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi.

Të ngjashme