Thaçi dhe të tjerët, vazhdon gjykimi në rastin e “Administrimit të drejtësisë”

Prishtinë | 02 Mar 2026 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës nga ora 09:30,  vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë, ku ekipet e mbrojtjes pritet të nisin pyetjet për Dëshmitarin 7.

Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) lexoi përmbledhjen e aktakuzës dhe paraqiti deklaratën hyrëse. Të pestë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.

Mbrojtja e Bashkim Smakajt e përfundoi deklaratën hyrëse, ndërsa ajo e Isni Kilajt e paraqiti më pas. Dëshmitari i parë, i identifikuar si Dëshmitari 7, dha dëshminë nën masa mbrojtëse.

Pas konfirmimit të aktakuzës, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan më 5 dhjetor dhe u transferuan në paraburgim në Hagë. Hashim Thaçi mori fletarrestimin në objektin e paraburgimit, ndërsa Hajredin Kuçi u ftua për paraqitje. Gjatë paraqitjeve fillestare në dhjetor 2023 dhe janar 2025, të gjithë u vetëdeklaruan të pafajshëm.

Më 12 nëntor 2025, pas përfundimit të procedurave paraprake, çështja iu kalua gjykatësit të vetëm për gjykim. Konferenca përgatitore u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi nisi më 27 shkurt 2026.

Të ngjashme