Bajraktari: Mosrespektimi i afateve kushtetuese do të krijonte një precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues

Prishtinë | 02 Mar 2026 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Avokati Ardian Bajraktari në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit/es ka thënë se mosrespektimi i afateve kushtetuese do të krijonte një precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues.

Bajraktari nënvizon se pavarësisht që faktit se mosrespektimi i këtij afati nuk nënkupton automatikisht shpërndarjen e Kuvendit apo shkuarjen e vendit në zgjedhje, kjo në asnjë mënyrë nuk e zbeh natyrën e saj detyruese, sepse dispozita kushtetuese përdor termin “duhet”,

“Mosrespektimi i afateve kushtetuese do të krijonte një precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues. Sipas Kushtetutës, konkretisht nenit 86, paragrafi 2, Presidenti/ja duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit/es aktual/e. Ky afat nuk është formalitet procedural, por garanci për stabilitet institucional dhe vazhdimësi kushtetuese. Pavarësisht faktit se mosrespektimi i këtij afati nuk nënkupton automatikisht shpërndarjen e Kuvendit apo shkuarjen e vendit në zgjedhje, kjo në asnjë mënyrë nuk e zbeh natyrën e saj detyruese, sepse dispozita kushtetuese përdor termin “duhet”, i cili në terminologjinë juridike shpreh obligim të qartë dhe jo rekomandim apo mundësi diskrecionale. Prandaj, edhe në mungesë të një sanksioni të menjëhershëm politik, norma mbetet juridikisht detyruese dhe kërkon zbatim të plotë e në kohë, si pjesë e rendit kushtetues që garanton stabilitet dhe parashikueshmëri institucionale. Për pasojat e mosrespektimit eventual të këtij afati, i mbetet Gjykatës Kushtetuese të vendosë, në rast se çështja adresohet nga palët e autorizuara”, ka shkruar Bajraktari.

Bajraktari ka thënë se respektimi i afateve kushtetuese është test i phekurisë demokratike, dhe se Kushtetuta nuk parashikon afate “orientuese”.

“Respektimi i afateve kushtetuese është test i pjekurisë demokratike. Kushtetuta nuk parashikon afate “orientuese”, por norma detyruese që sigurojnë funksionimin e rregullt të institucioneve dhe shmangien e boshllëqeve institucionale. Çdo vonesë apo relativizim i këtij detyrimi cenon sigurinë juridike dhe dëmton besimin në rendin kushtetues. Në një shtet të së drejtës, Kushtetuta qëndron mbi kalkulimet politike të ditës. Relativizimi i afateve kushtetuese sot, hap derën për shkelje të tjera nesër. Nëse akti më i lartë juridik në vend trajtohet si çështje interpretimi politik, atëherë cenohen parimet themelore të sigurisë juridike, stabilitetit institucional dhe funksionimit normal të shtetit. Kushtetuta nuk është sugjerim. Ajo është kontrata jonë themelore politike dhe juridike, andaj duhet të respektohet në germë e në frymë, në kohë dhe pa ekuivok”, shkruan avokati.

Të ngjashme