ATK: Deklarimet e sakta ndihmojnë në planifikimin e kontrolleve dhe forcimin e sistemit tatimor

Prishtinë | 02 Mar 2026 | 10:44 | Nga Gzim Mujaj

Administrata Tatimore e Kosovës ka organizuar seminarin informues me temë “Deklarimi Vjetor i Tatimeve dhe Raportimi i Pasqyrave Financiare”, ku u theksua rëndësia e raportimit të saktë dhe bashkëpunimit me profesionistët për forcimin e sistemit tatimor, raporton Ekonomia Online.

Aty u theksua se përmbushja e drejtë e obligimeve tatimore ndikon drejtpërdrejt në hartimin e politikave fiskale, planifikimin e kontrolleve dhe vendimmarrjen institucionale.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, tha se institucioni mbledh miliona deklarime gjatë vitit, të cilat shfrytëzohen jo vetëm nga ATK-ja, por edhe nga institucione të tjera shtetërore.

Ai theksoi se raportimi i drejtë dhe i saktë është thelbësor për krijimin e politikave fiskale, planifikimin e kontrolleve dhe furnizimin me informata të sakta për institucione si Prokuroria dhe Policia, duke shtuar se vendimet më të mira merren mbi bazën e të dhënave të sakta.

“Ne dimë që ATK-ja mbledh miliona deklarime gjatë vitit dhe këto deklarime shfrytëzohen dhe përdoren prej shumë institucioneve të tjera, jo vetëm prej ATK-së. Prandaj po du me bë me ditë se sa është i rëndësishëm raportimi i drejtë dhe i saktë vjetor që ju bëni si profesionistë në ATK. Me një raportim të drejtë apo të saktë, jo vetëm që ne mund të krijojmë politika fiskale si shtet, ne si administratë tatimore mund t’i planifikojmë kontrollet e ndryshme ose shqyrtim të problematikave të ndryshme, po edhe institucionet e tjera siç janë Prokuroria e Shtetit, Policia — të gjitha institucionet — mund të furnizohen me informata të drejta dhe të sakta dhe të marrin vendimet e duhura. Pra, vendimet e mirëinformuara janë vendimet më të sakta për nga natyra, për shkak se ato bëhen në bazë të analizave të të dhënave të sakta që ju i dërgoni. Pra, mbase kësaj po du me bë të rëndësishme që është, sa i rëndësishëm është roli i juaj si kontabilist, si auditor ose si përfaqësues tjerë të biznesit që jeni këtu”, tha ai.

Kontabilistja dhe auditorja e certifikuar në ATK, Elvira Ibrahimi Hoti, tha se përmbushja tatimore rritet jo vetëm përmes deklarimit, por edhe përmes ndërtimit të besimit, që sipas saj kontribuon në buxhetin e shtetit dhe më pas kthehet në të mirë të qytetarëve.

“Vetem përmes dialogut hapim rrugë, të ndërtojmë një sistem të fortë dhe të drejtë për të gjithë. Si biznese dhe si profesionistë e mbështesim këtë frymë të re të administratës tatimore dhe presim jo vetëm qartësi në rregulla, por presim më shumë sepse ne si profesionistë mund të bëjmë më shumë. Ne duam të përfshihemi në diskutimin e politikave fiskale dhe mënyrën e zbatimit të tyre. Presim takime të rregullta konsultative, ku zëri ynë, zëri i terrenit pra, të merret në konsideratë para vendimeve të rëndësishme. Sepse ne si profesionistë jemi ata që çdo ditë përballemi me zbatimin praktik të këtyre rregullave dhe me thënë të drejtën jemi ata që të parët e nuhasim kur paraqitet një sfidë, e pritet me kohë edhe një problem për sistemin”, tha ajo.

Drejtoresha e Departamentit për Regjistrim dhe Shërbim të Tatimpaguesve në ATK, Zana Bucaliu, tha se administrata është e përkushtuar për rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimit tatimor përmes komunikimit të hapur me komunitetin profesional.

“Administrata Tatimore e Kosovës tashmë e ka dëshmuar besoj se është e përkushtuar që përmes komunikimit të hapur dhe bashkëpunimit me komunitetin e juaj, përkatësisht të rritë nivelin e transparencës, korrekcisë dhe ndërgjegjësimit tatimor në vend. Shumica prej juve tashmë besoj se jeni të njoftuar, korniza ligjore e legjislacionit tatimor të Kosovës përbëhet prej një sërë ligjeve”, tha ajo.

Të ngjashme