Kurti: S’ka konsensus për presidentin, prioritet t’i evitojmë zgjedhjet

Prishtinë | 02 Mar 2026 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se aktualisht nuk ka marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, duke theksuar se situata mbetet e hapur dhe se do të vazhdojnë përpjekjet për të arritur një zgjidhje, raporton Ekonomia Online.

Kurti i bëri këto komente pas takimit me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku çështja e zgjedhjes së presidentit ishte një nga temat kryesore të diskutimit.

Kurti bëri të ditur se për momentin nuk ka figurë konsensuale dhe as marrëveshje politike, duke e cilësuar situatën si më të ndërlikuar pas qëndrimit të Partia Demokratike e Kosovës (PDK), sipas të cilit kandidati duhet të jetë partiak.

“Ju e dini që ne, si subjekt fitues i zgjedhjeve, si Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me partnerët tanë, Guxo dhe Alternativa, i kemi 57 deputetë. Së bashku me pakicat përbëjmë mazhorancën prej 66 deputetësh, por nuk i kemi edhe 14 të tjerë që të sigurohemi se gjithçka do të shkojë mbarë në ditën kur duhet ta zgjedhim presidentin e Republikës. Ju e keni parasysh që herën e kaluar, me 56 deputetë, u përpoqa të zgjidhem kryeministër për t’i arritur 61 vota; nuk u bë e mundur, përkundër faktit që gjithçka u stërzgjat për shumë muaj. Tash nuk jemi vetëm pesë deputetë larg, por 14 deputetë larg, gjë që e bën situatën më të vështirë.

Si Lëvizja Vetëvendosje, ne kemi mundësi ta propozojmë një kandidat, sepse mund t’i mbledhim 30 nënshkrime. Nevojiten 30 nënshkrime të deputetëve për të paraqitur një kandidaturë. Bashkë me pakicat që i kemi në mazhorancë, mund të propozojmë edhe dy kandidatë, pasi me 66 deputetë mund të sigurohen 60 nënshkrime.

Edhe opozita, nëse nuk e përfshijmë Lista Serbe, ka 43 deputetë: 22 nga PDK-ja, 15 nga LDK-ja dhe 6 nga AAK-ja — gjithsej 43. Pra, edhe opozita mund të nxjerrë kandidat. Kushtetuta na obligon t’i evitojmë zgjedhjet, pra të mos shkojmë në zgjedhje të reja. Ajo thotë se duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje, por njëkohësisht i obligon edhe deputetët të votojnë”, tha ai.

“A do të realizohet kjo, nuk e di, por kushtet janë ideale që të kemi edhe tre kandidatë, ndërkohë që aktualisht nuk ka asnjë. Për shkak se mundësitë janë aty, do të vazhdoj të komunikoj, në mënyrë që nesër apo pasnesër të arrijmë te rezultati dhe pastaj te suksesi i zgjedhjes së presidentit. Por, për momentin, nuk mund të them se ka diçka të re, meqenëse në njërën anë nuk kemi figurë konsensuale, ndërkaq në anën tjetër nuk kemi as marrëveshje politike, sidomos pas deklarimit të PDK-së se propozimi duhet të jetë partiak. Kjo e bën çështjen më të ndërlikuar. Pra, nuk po flasim për emra të përveçëm; mbetet që nesër e pasnesër të shohim nëse mund të bëjmë ndonjë hap përpara, sepse, po e ritheksoj, kjo çështje e hapur i ka mundësitë reale dhe aktuale, por varet nëse do të përdoren”, tha ai.

Të ngjashme