Shefi i NATO-s mbërrin në Shkup, do të takohet me krerët shtetërorë

Prishtinë | 03 Mar 2026 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes i RMV-së Vlado Misajlovski priti në aeroportin e Shkupit sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vend.

“Është nder të mirëpresim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte. Në kohë sfidash serioze të sigurisë, është me rëndësi të veçantë që të kontribuojmë së bashku për sigurinë, paqen dhe stabilitetin”, shkroi Misajlovski në Facebook.

Nga Aeroporti i Shkupit, Rutte dhe delegacioni i tij u nisën për në vilën në Vodno, ku do të pritet nga presidentja Gordana Sviljanovska-Davkova.

Sekretari i përgjithshëm do të pritet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në një ceremoni në zyrën e presidentit, e më pas do të ketë takim kokë më kokë dhe takim plenar të delegacioneve të RMV-së dhe të NATO-s. Është planifikuar gjithashtu konferencë e përbashkët për shtyp nga Presidentja Sviljanovska-Davkova dhe Rutte.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të takohet gjithashtu me kryeministrin Hristijan Mickoski, si dhe me kryetarin e kuvendit, Afrim Gashi, pas së cilës do t’u drejtohet deputetëve në kuvend.

Rutte do të vizitojë gjithashtu kazermën Ilinden, ku do të marrë pjesë në prezantimin e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (LPBG) të Ushtrisë dhe disa nga pajisjet e kësaj njësie.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Sashko Lafçiski, gjeneralë në ushtri dhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes.

Kjo është vizita e parë e Rutte si sekretar i përgjithshëm i NATO-s në Shkup. Ai ishte në vend në nëntor 2021 si kryeministër i atëhershëm i Holandës.

Të ngjashme