A ka votë LDK-ja për Osmanin apo për Konjufcën? Mustafa: S’kemi një kandidaturë zyrtare

Prishtinë | 03 Mar 2026 | 14:38 | Nga Gzim Mujaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka deklaruar se deri më tani nuk ka asnjë propozim konkret për kandidat për president dhe as marrëveshje politike që do ta çonte procesin përpara, raporton Ekonomia Online.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku u diskutua çështja e zgjedhjes së presidentit dhe takimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryeministrin Albin Kurti, Mustafa tha se partia në pushtet me 66 deputetë mban përgjegjësinë për të çuar përpara procesin, duke shtuar se deri tani nuk është paraqitur asnjë emër me 30 nënshkrime.

Ai theksoi se Grupi Parlamentar i LDK-së është unik dhe do të veprojë me qëndrim të përbashkët, ndërsa bëri të ditur se aktualisht nuk ka marrëveshje politike mes partive.

“Nuk ka, thashë edhe një herë, partia në pushtet ka 66 ulëse në Kuvend, pa ta nuk bëhet kjo punë, prandaj ata nuk kanë, deri më tani nuk ka asnjë propozim për asnjë emër konkret. Nuk mund të diskutoj kandidatura individuale, sepse thashë, deri tash nuk kemi asnjë kandidaturë zyrtare që ka së paku 30 nënshkrime, prandaj më lejoni që të mos komentoj diçka që nuk ka ndodhur. Sa i përket grupit parlamentar të LDK-së, vlen të ceket që është unik, është i bashkuar, ka një qëndrim të përbashkët dhe ashtu siç vendosim bashkërisht, ashtu do të veprojmë bashkërisht të 15-tët. Ndërsa sa i përket marrëveshjes politike, deri në këto momente nuk kemi një marrëveshje politike, ashtu siç mund të kishim lëvizje tutje. Thashë edhe një herë, e vetmja mënyrë si ecën tutje ky proces është nëse ke konsensus të të gjitha partive politike ose një marrëveshje politike në mes të dy partive. Deri sot nuk kemi një gjë të tillë”, tha ai.

Sipas Mustafës, procesi mund të ecë përpara vetëm përmes konsensusit të gjerë ose një marrëveshjeje politike mes dy partive, e cila fillimisht do të përfshinte dakordim për parimet dhe kriteret e presidentit të ardhshëm, e më pas për emrin konkret.

“Po thashë, në një marrëveshje politike në mes të dy partive, fillimisht do të diskutonim parimet se si do të dukej presidenti i ardhshëm. Pastaj do të flisnim për kriteret specifike që duhet të plotësonte një kandidat specifik, e pastaj bazuar në këto kritere të pajtuara në mes të dy palëve, nëse po flasim për marrëveshje politike, do të flisnim për emrat e veçantë dhe do të përfundonim me një emër të veçantë të përbashkët në mes të dy partive”, tha ai.

I pyetur nëse LDK do ta votonte një kandidaturë të mundshme si ajo e Glauk Konjufca, Mustafa tha se nuk mund të përgjigjet për pyetje hipotetike përderisa nuk ka kandidaturë zyrtare.

“Nuk mund të përgjigjem për derisa nuk kemi një kandidaturë zyrtare, pra pyetje shumë hipotetike të cilën e kam të pamundur të përgjigjem për derisa nuk kemi një veprim të tillë. Për sa i përket parimeve dhe kritereve, fillimisht do të pajtohesh me dy palët, në këtë rast nëse flasim për marrëveshje politike, që po pajtohemi që së bashku ta zgjedhim presidentin. Pastaj pajtohesh për parimet, kriteret dhe për emrin e veçantë. Asnjë nga këta hapa nuk ka ndodhur, prandaj e kam të pamundur”, tha ai.

Të ngjashme