Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shpallur antikushtetuese sot në 3 mars, zgjatjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha.
Vendimi vjen pas shqyrtimit të ankimimit të paraqitur nga Berisha për tejzgjatjen e kësaj mase kufizuese. Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se pas shtatë muajsh nga vendosja e “arrestit në shtëpi”, gjykatat e zakonshme nuk kishin dhënë argumente konkrete për ekzistencën e rrezikut të ikjes. Po ashtu, sipas Kushtetueses, nuk ishte paraqitur asnjë rrethanë e re që të justifikonte ashpërsimin e masës së sigurisë, raporton Klan News.
Fillimisht, rreziku për cenimin e provave ishte vlerësuar se përmbushej me masën më të lehtë “detyrim paraqitjeje”. Megjithatë, më pas u vendos një masë më e rëndë, pa u evidentuar ndryshime në sjelljen e kërkuesit.
“Në këtë kuptim, Gjykata vëren se në vendimet e gjykatave të zakonshme objekt kontrolli, ndonëse kishin kaluar 7 muaj nga caktimi i masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, në lidhje me rrezikun e ikjes së kërkuesit nuk ka ndonjë arsyetim, ndërsa për rrezikun e marrjes dhe të vërtetësisë së provave organi i prokurorisë, në vijim, por edhe gjykatat e zakonshme, në momentin fillestar të caktimit të masave të sigurimit, kanë vlerësuar se përmbushej nga masa e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Megjithatë, për të njëjtën nevojë sigurimi dhe pa evidentuar ndonjë rrethanë të re për ndonjë sjellje konkrete të kërkuesit në aspekt të kësaj nevoje sigurimi, në rastin në shqyrtim gjykatat e zakonshme kanë konsideruar se ajo përmbushej nga një masë sigurimi më e rëndë, ajo e “Arrestit në shtëpi””, thuhet në vendimin e marrë nga Kushtetuesja.
Gjykata vlerëson se kjo situatë nuk garantonte një ekuilibër të drejtë mes nevojës për sigurimin e procesit dhe së drejtës për liri personale. Sipas saj, qëndrimi nën “arrest shtëpie” nuk ishte më i lidhur me mbarëvajtjen e procedimit penal.
Kushtetuesja thekson se masat e sigurisë duhet të jenë proporcionale dhe të arsyetuara në çdo fazë të procesit. Për rrjedhojë, zgjatja e masës ndaj Berishës u konsiderua në kundërshtim me Kushtetutën.
“Për këto arsye, Gjykata vëren se kufizimi i lirisë personale të kërkuesit me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” nuk mund të konsiderohet se arrin një ekuilibër të drejtë midis rëndësisë për sigurimin e zbatimit të një urdhri të ligjshëm të gjykatës dhe së drejtës për liri të tij. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se periudha e qëndrimit të kërkuesit nën atë masë sigurimi nuk ka qenë në përputhje me qëllimin e vendosjes së urdhërimit të caktuar më parë nga gjykatat, i cili nuk është zbatuar prej tij. Ndërsa lidhur me qëllimin e vijimit të asaj mase sigurimi në atë fazë, Gjykata konstaton se ajo nuk lidhej më me sigurimin e mbarëvajtjes së procedimit penal, arsye për të cilat vendosen masat e sigurimit personal (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese), por thjesht me faktin se kërkuesi nuk kishte respektuar një urdhërim të vendosur më parë ndaj tij nga gjykatat”, sqarohet më tej në vendim.
Kreu demokrat Sali Berisha kishte ankimuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” në 17 dhjetor 2025, caktuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.
Mbrojtja e ish-kryeministrit pretendoi shkelje proceduriale dhe tejkalim të afateve ligjore nga ana e GJKKO-së.
Berisha u lirua në nëntor të 2024-ës, pas afro 11 muajsh, i izoluar në banesën e tij. Gjatë asaj kohe, ai e ka zhvilluar vazhdimisht betejën në gjyqësor me ankimime të herëpashershme.
Më 3 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të cilën vijon ta zbatojë.