Identifikohen mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, rivarroset të premten

Prishtinë | 04 Mar 2026 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Të premten do të rivarroset Myrteza Dylhasi nga Gjakova, i cili ishte rrëmbyer nga forcat e regjimit serb gjatë luftës së fundit në Kosovë, e mbetjet mortore të të cilit u identifikuan të martën nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).

Në nderim të Dylhasit, Komuna e Gjakovës ka organizuar edhe homazhe.

Në ora 12:00 parashihet të bëhen homazhe në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, për të vazhduar më pasë në ora 13:00 tek Kompleksi Memorial në Çabrat, aty ku edhe do të bëhet ceremonia e rivarrimit.

Më 27 mars 1999, Myrteza Dylhasi, së bashku me babanë e tij Skënder Dylhasi, me gjashtë anëtarë të familjes Qerkezi, dy fqinjët e familjes Jetishi dhe një anëtar të familjes Ymeraga, u morën nga forcat serbe, nga shtëpia e Halim Qerkezit në Gjakovë”.

Myrteza Dylhasi është vëllai i Flamurit, i cili punon si mjek në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Këtë e bëri të ditur kolegu i tij, Naim Uka, i cili ka rrëfyer përvojën e tij profesionale, duke theksuar se që nga fillimi i karrierës, çështja e personave të zhdukur ka shoqëruar çdo hap të tij.

Ai veçanërisht nënvizon bashkëpunimin me Dr.Flamur Dylhasin, i cili siç tha ai, ka humbur babanë dhe vëllain nga regjimi serb.

Duke folur për Flamurin, Naim Uka tha se nga familja e tij, vëllai është tashmë i identifikuar, ndërsa babai mbetet ende në listat e të zhdukurve, duke lënë familjen me një boshllëk të thellë emocional.

“Në situata të tilla, fjalët janë të mangëta, ndërsa dhimbja vazhdon të rëndojë mbi familjarët e atyre që ende mungojnë. Lavdi e përjetshme martirëve të Kosovës! Lavdi martirit Myrteza Dylhasi! I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, martirit gjakovar”, ka shkruar Uka.

Të ngjashme