Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në konferencën për media ka thënë se Vjosa Osmanit ia kanë ofruar nënshkrimet për kandidaturën e saj për presidente, por ajo ka refuzuar, raporton Ekonomia Online.
“I kemi ofruar Vjosa Osmanit nënshkrimet për kandidaturën e saj, edhe pse nga ajo që dimë asnjë subjekt tjetër nuk e ka bërë një gjë të tillë. Madje kemi pasur edhe deklarata të subjekteve politike, në këtë rast të Partia Demokratike e Kosovës-së, për mosmbështetjen e Vjosa Osmanit.
Meqenëse zonja Osmani nuk e ka pranuar këtë ofertë, tani duke marrë parasysh dinamikat aktuale dhe kohën e shkurtër deri nesër në ora 24:00 për të zgjedhur presidenten, por edhe numrat e subjekteve të tjera politike që nuk e kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të bërë 30 nënshkrime, ne si LVV kemi qenë dhe jemi të gatshëm t’iu ofrojmë nënshkrimet e deputetëve tanë edhe subjekteve të tjera parlamentare për të paraqitur kandidaturat e tyre potenciale. P.sh., ne mund të japim 10 nënshkrime nëse janë të nevojshme për PDK-në që të kandidojë një kandidat për president, dhe në të njëjtën kohë mund të ofrojmë edhe 20 nënshkrime të deputetëve tanë për një kandidat tjetër për president. Këtë jemi të gatshëm ta bëjmë për të mos përsëritur situatën e vitit 2025, kur u detyruam të shkojmë në zgjedhje të përsëritura, të kushtueshme dhe të panevojshme”, tha ajo.