Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi në seancën solemne të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së tha se Prekazi dhe familja Jashari i dha leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sa e madhe është sakrifica për të.
„Në historinë tonë të lavdishme, 5 Marsi dhe Epopeja e UÇK-së është pikëtakimi ynë, ku bashkohemi dhe reflektojmë unitet e vetëdije kombëtare. Kjo datë i mbledh së bashku të gjithë njerëzit e mirë dhe patriotët pa dallime. Shembulli i sakrificës dhe heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari, i familjes Jashari dhe i luftëtarëve të UÇK-së, na bën që të jemi të vetëdijshëm se sa i shtrenjtë është atdheu dhe si duhet t’i dalim zot sa herë ka nevojë për ne. Me luftën nëpër breza, e sidomos me luftën e fundit, Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sa e madhe është sakrifica për të. Familja Jashari është shembull për kombin dhe për të gjithë njerëzimin. Prandaj, sa herë vjen 5 Marsi, vjen si reflektim i kujtesës dhe i vetëdijes sonë kombëtare. 5 Marsi na e mban gjallë ndjenjën kombëtare e njerëzore, na e mban të freskët kujtimin për dëshmorët dhe na mban të palodhur në rrugën e sigurt të ecjes përpara“, theksoi ajo.
Ajo tha se lufta e drejtë e UÇK-së duhet ë mbrohet edhe atëhere kur tentohet të rishkruhet.
“5, 6 dhe 7 Marsi nuk i takojnë vetëm të kaluarës sonë tashmë. Epopeja e UÇK-së është edhe e sotmja, e cila na e rrëfen të ardhmen tonë të dinjitetshme. Prandaj, lufta e lavdishme çlirimtare, përveçse të përkujtohet e të nderohet, ka nevojë edhe të mbrohet si vlerë. Ka nevojë të mbrohet sidomos atëherë kur sulmohet pastërtia e saj, kur sulmohet lufta e drejtë dhe kur sulmohen rrënjët e saj. Lufta jonë e drejtë duhet të mbrohet edhe kur tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme“, tha ajo.
Ajo nënvizoi se kushdo që tenton të rishkruaj historinë e UÇK-së dhe Adem Jasharit, qoftë dhe nëpër salla gjyqi, përgjigja është se “të gjithë ne jemi UÇK”.
“Sa herë vjen kjo datë zemrat tona rrahin me Jasharët, sa herë vjen kjo datë dhimbja jonë, janë Jasharët. Sa herë vjen kjo datë, krenari jonë janë Jasharët. Prandaj, kushdo që tenton të rishkruajë historinë e UÇK-së dhe Adem Jasharit qoftë duke trajtuar nëpër saalla gjyqi, përgjigja jonë e përbashkët është, se ne të gjithë jemi UÇK, ne të gjithë jemi Jashar”, tha ajo.
