Gruda: Jemi 14 vjet pas vendimit të Kushtetueses, s’mund t’i shqyrtojmë amendamentet e Osmanit

Prishtinë | 05 Mar 2026 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Përparim Gruda, ka thënë se nuk mund të shqyrtohen amendamentet e propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit/es direkt nga populli, raporton Ekonomia Online.

Arsyeja për këtë, sipas Grudës, është tejkalimi i çdo afati që kur kjo çështje është trajtuar nga Gjykata Kushtetuese, më 2011, duke e bërë të pamundur rishqyrtimin e saj në këtë fazë.

“Jemi gati 14 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja është dërguar në gjykatë në vitin 2011. Pra, kemi kaluar çdo afat. Unë sot mendoj se komisioni nuk mund të shqyrtojë amendamente që kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më shumë se një dekadë më parë”, ka thënë Gruda.

Megjithatë, ai ka ftuar anëtarët e Komisionit që të diskutojnë.

“Amendamentet kushtetuese mund të propozohen nga Presidentja e Kosovës, nga Qeveria dhe nga ¼ e deputetëve të Republikës së Kosovës. Ky është hapi i parë procedural.

Hapi i dytë, që përcaktohet si në Kushtetutë ashtu edhe në Rregullore, është që amendamentet kushtetuese dërgohen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese për të parë nëse ato amendamente i shkelin ose i pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, siç janë të mbrojtura me Kapitullin II të Kushtetutës.

Në jurisprudencën e saj, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se duhet të kontrollohet edhe Kapitulli III, i cili flet për të drejtat e komuniteteve, si dhe të vlerësohet nëse këto amendamente e shkelin frymën dhe vlerat mbi të cilat qëndron rendi kushtetues i Republikës së Kosovës.

Kjo është procedura. Ndërkaq, kur Gjykata Kushtetuese përfundon shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese, ato amendamente, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit (neni 87), dërgohen në Komisionin për Legjislacion për shqyrtim. Nëse ka nevojë për pastrim të tekstit sipas vërejtjeve të Gjykatës Kushtetuese, atëherë teksti rregullohet aty dhe më pas përcillet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka sqaruar Gruda.

Komisioni u mblodh pasditen e të enjtes, pak orë pasi presidentja Vjosa Osmani dërgoi në Kuvend amendamentet kushtetuese të cilat propozojnë që presidenti/ja të zgjidhet direkt me votë nga populli.

Krejt kjo, sipas njoftimit të presidencës, “duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e presidentes/it”.

Të ngjashme