Abdixhiku: Po futemi drejt procesit të ri zgjedhor, LDK mirëpret dekretin për shpërbërjen e Kuvendit

Prishtinë | 05 Mar 2026 | 22:32 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në ora 24:00 pret që të shpërndahet Kuvendi, raporton Ekonomia Online.

“Me keqardhje më lejoni të theksoj që Kuvendi i Kosovës dhe partitë parlamentare nuk kanë arritur të gjejnë konsensusin e domosdoshëm për presidentin e unitetit të popullit të Kosovës. LDK ka bërë përpjekje për të bërë marrëveshje politike, por edhe për të gjetur një konsensus të gjerë. Fatkeqësisht ky konsensus ka nënkuptuar më shumë se 80 vota në periudhën që kemi mundur të gjejmë edhe marrëveshje ndërpartiake, por edhe të arrijmë një kandidat me unitet. LDK nuk ka pasur këtë fuqi… Kosova po shkon drejt një procesi të ri zgjedhor. Në orën 00:00 të mesnatës, LDK mirëpret dekretin për shpërbërjen e Kuvendit. Dua të them se jemi futur në këtë proces me vetëdije të lartë edhe shtetërore edhe kombëtare, me vullnet të mirë për bashkë-president. Kemi mbajtur komunikime të mbarë me të gjitha partitë politike, kemi dhënë solucione, kemi dhënë alternativa, kemi pasur gatishmëri të plotë për konsensus. Fatkeqësisht kjo gatishmëri nuk është përputhur me ambicionet e palëve të tjera. Në këtë moment seancën e tanishme e konsiderojmë si monopartiake, meqenëse janë dy kandidatë nga një parti politike. Besoj se ka qenë edhe kundërshtim popullit, të cilin e kemi thënë që nga dita e parë, se Presidenti duhet të ketë librezë partiake. Tani kemi dy kandidatë me librezë partiake, kështu nuk arrihet konsensusi, kështu nuk arrihet uniteti për një shumicë thjesht politike. Siç kam thënë edhe sot në mëngjes, kemi Kryeministrin e Kosovës, për President duhen dy të tretat e Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Të ngjashme