Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nxjerr dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke thënë se mbrëmë përfaqësuesit e popullit vendosen ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja, gjë e cila ishte e evitueshme, raporton Ekonomia Online.
“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme, është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës. Prandaj sot në përputhje me Kushtetutën e Kosovës kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues që është i përcaktuar qartë”, tha ajo në konferencë për media.
Dështimi për zgjedhjen e presidentit mbrëmjen e 5 marsit, Osmani thotë të mos ketë qenë një rastësi dhe e pamenduar, por një kalkulim i ideuar.
“Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin. Mbrëmë, përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq”, theksoi ajo.
Ajo tha se këtu vendin e dërguan njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme.
“Duhej të tërhiqte vendin në një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, tha ajo.


