Kurti: Nuk besoj që mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën Gjykata Kushtetuese

Prishtinë | 06 Mar 2026 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se tani nuk mund të flitet për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën Gjykata Kushtetuese, raporton Ekonomia Online. Ai ka thënë se dekreti është antikushtetues, e ku ka bërë “lutje” që të pritet me qetësi e durim.

“Tash ndodhemi në një situatë ku unë nuk besoj që mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën Gjykata Kushtetuese, sepse kemi mospajtime dhe kërkesa para tyre. Ata kanë një materie që ata duhet ta trajtojnë”, tha Kurti në konferencën për media të thirrur pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Ai tha se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk është kushtetues.

“Në një situatë të këtillë, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve nuk është kushtetuese sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta. Atëherë, kjo përbën edhe një tjetër lëndë për Gjykatën Kushtetuese. Të presim me qetësi dhe durim, ndërkohë që qeverisim mbarë dhe mirë si gjithnjë. Por ajo që dua ta pranoj është që na u pamundësua një seancë sot pasdite, e ku do të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare në të mirë të vendit”, theksoi ai.

Kurti tha se nuk pret ndryshime të mëdha në rast se mbahen zgjedhjet e reja.

“Po shoh edhe zell për zgjedhje të reja, që do të na marrin kohë më shumë. Nuk shoh prej tash se si mund të jenë zgjidhje. Duhen 80 vota për zgjedhjen e presidentit. Nuk mund të presim që të fillojmë zgjedhjet e reja në fushata të përsëritura ku tash duhet  të themi se unë i marrë 80 deputetë së paku. Nuk është çështja te 61-shi, por te 80-shi. Nuk besoj që zgjedhjet e përsëritura janë zgjidhje, do të jenë vazhdimësi e agonisë legjislative institucionale në përgjithësi, që është e panevojshme përveç se e padrejtë. Zgjedhjet do të kushtonin 10 mln euro për ta përsëritur rezultatin. Mund të ketë lëvizje të vogël, por s’shoh diferenca të mëdha. Po e presim aktgjykimin që për brenda këtyre 60 ditëve ta përmbyllim procesin e zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Kurti.

Të ngjashme