5 kilogram e 61.4 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë është gjetur në Vushtrri si dhe një pistoletë me gjashtë fishekë.
Për këtë është ndaluar një i mitur, por pas intervistimit nga prokurori, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.
“Hetuesit policorë të Stacionit Policor në Vushtrri, në orët e mbrëmjes të datës 06 mars 2026, derisa kanë qenë duke trajtuar një rast të kanosjes, mbi bazën e informatave të siguruara dhe dyshimeve të arsyeshme për posedim të substancave narkotike, me autorizim të prokurorit kanë realizuar një kontrollë në një shtëpi në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë. Si rezultat i veprimeve të shpejta operative dhe hetimore, gjatë kontrollës është gjetur dhe konfiskuar një sasi prej 5 kilogram e 61.4 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë si dhe një armë zjarri e llojit pistoletë me 6 fishekë. Një person i dyshuar i moshës së mitur është arrestuar e gjithashtu janë njoftuar hetuesit e Njësisë për hetimin e trafikimit të narkotikëve të cilët së bashku me krim-teknikën e Stacionit Policor Vushtrri kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë vazhduar me veprime tjera hetimore. Pasi është intervistuar, me udhëzim të prokurorit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt ndërsa janë iniciuar rastet penale: ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Hetimet e mëtejme për këtë rast dhe për të dyshuar të tjerë, do t’i vazhdojë Njësia kompetente për hetimin e trafikimit të narkotikëve.