Neymar përsëri jashtë, e rrezikon ftesën te Brazili

Prishtinë | 10 Mar 2026 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

Një tjetër ndalesë mund ta ngadalësojë seriozisht rikthimin e Neymar.

Sulmuesi brazilian nuk është përfshirë në listën e të grumbulluarve për ndeshjen kundër Mirassol, e vlefshme për javën e pestë të kampionatit brazilian.

Një mungesë që peshon jo vetëm për klubin, por edhe për kombëtaren e Brazilit.

Kjo mungesë vjen në një moment delikat. Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, e kishte përfshirë Neymarin në një listë paraprake vëzhgimi dhe planifikonte ta ndiqte nga afër pikërisht në këtë ndeshje për të vendosur nëse do ta ftonte në kombëtare.

Ish-lojtari i Paris Saint‑Germainit dhe Barcelonës nuk mori pjesë në seancën e fundit stërvitore për shkak të një lodhjeje muskulore.

Për këtë arsye trajneri vendosi ta lërë jashtë sfidës ndaj Mirassol, për ta shmangur ndonjë rikthim të dëmtimit dhe për ta menaxhuar me kujdes shërimin e tij.

Ndërkohë, Federata braziliane e kishte planifikuar praninë në stadium të Ancelottit dhe drejtorit sportiv Rodrigo Caetano për ta vëzhguar Neymarin nga afër.

Objektivi i Santosit tani është ta rikuperojë për derbin kundër Corinthians, i cili mund të jetë shansi i fundit për ta bindur stafin e “Seleçãos” para shpalljes së listës përfundimtare të lojtarëve.

Brazili do t’i luajë dy miqësore ndërkombëtare kundër Francës më 26 mars dhe ndaj Kroacisë më 31 mars.

Ancelotti ka qenë i qartë për situatën e tij: “Neymar duhet të jetë 100%, jo 80%. Dua që të jetë në formë të plotë për të luajtur. Nëse është mirë fizikisht, nga ana teknike nuk ka asnjë dyshim se mund të marrë pjesë në Botërorin e ardhshëm.”

Lista përfundimtare e të grumbulluarve do të shpallet më 16 mars dhe atëherë do të kuptohet nëse Neymar do të rikthehet sërish me fanellën e Brazilit./GE

Të ngjashme