Konjufca pret ambasadorin gjerman, flasin për dialogun dhe bashkëpunimin ekonomik

Prishtinë | 10 Mar 2026 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në takimin njoftues pas formimit të qeverisë së re, ambasadori Rudolph e uroi Konjufcën për mandatin dhe riafirmoi mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Kosovo.

Konjufca e Ruolph, diskutuan për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se partneriteti Kosovë–Gjermani tejkalon dimensionin bilateral dhe mbështetet në lidhje të forta politike, ekonomike dhe shoqërore.

Në këtë kontekst u theksua edhe roli i rëndësishëm i diasporës kosovare në Gjermani, si dhe i bizneseve të shumta që qytetarët e Kosovës kanë ndërtuar atje. Palët theksuan nevojën për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomike dhe bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve.

Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan gjithashtu zhvillimet rajonale dhe procesi i dialogut, si dhe rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm për stabilitet dhe përparim në rajon.

Në fund të takimit u theksua se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Gjermaninë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Të ngjashme