Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka keqinterpretuar qëllimisht diskutimet me këtë parti sa i përket çështjes së presidentit.
Në emisionin Debat Plus, Çitaku tha se PDK-ja kishte kërkuar një marrëveshje parimore. Sipas saj, kryetari Bedri Hamza i kishte thënë Kurtit se ishin të gatshëm të ofronin një kandidat, por jo domosdoshmërisht një emër ekskluzivisht partiak.
“Zoti Kurti bëri një keqinterpretim të qëllimshëm të çështjes në fjalë. PDK-ja nuk ka kërkuar marrëveshje blanko. PDK-ja ka kërkuar marrëveshje parimore. Ne nuk kemi shkuar në tryezë për të bërë pazare, as nuk kemi shkuar për inate apo për të përmbushur ego personale. Në tryezë kemi shkuar, siç kemi shkuar gjithnjë, për t’u munduar të japim një zgjidhje dhe për të dalë nga ky cikël i pafund i krizave në të cilat jemi futur tash e gati dy vite.
Kryetari Hamza ia ka thënë Kurtit se ne jemi të gatshëm të ofrojmë kandidat, por e kemi saktësuar se jo domosdoshmërisht duhet të jetë një emër partiak.
Mirëpo do të ishte shumë e pandershme të flasim për emra të veçantë, t’ua lakojmë emrat në tryeza apo në publik pa pasur një dakordim paraprak që kandidatura do të vijë nga ana e PDK-së. Ky do të ishte hapi i parë. Më pas do të uleshim të diskutonim për kriteret, cilësitë dhe specifikat e kandidaturave në fjalë. Në këtë situatë jemi për shkak të vullnetit politik të shumicës”, ka thënë Çitaku.