Draft-raporti i Terras: 2025-ta, vit i humbur për Kosovën – keqardhje që s’u zgjodh Presidenti i ri

Prishtinë | 10 Mar 2026 | 21:55 | Nga Ekonomia Online

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka përpiluar draft-raportin për Kosovën që përfshin zhvillimet politike, sundimin e ligjit, ekonominë, korrupsionin, dialogun me Serbinë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës për vitin 2025.

Në të, viti 2025 konsiderohet “vit i humbur” për Kosovën, teksa kritikon bllokadën politike gjatë vitit 2025-ës.

“Shpreh keqardhje për procesin politik të paralizuar gjatë vitit 2025 që rezultoi në një ‘vit të humbur’ për Kosovën”, thuhet mes tjerash në këtë raport, të publikuar më 6 mars të këtij viti.

Raporti kritikon edhe moszgjedhjen e Presidentit në afatin e paraparë.

“Shpreh keqardhje për dështimin e Kuvendit për të zgjedhur një President të ri brenda afatit kushtetues, duke e shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja”, thotë më tej Terras në draft-raport.

Raportuesi për Kosovën në PE, edhe progresin e reformave që lidhen me BE-në, e konsideron të pamjaftueshëm, duke kërkuar përshpejtim të reformave.

“U bën thirrje autoriteteve të Kosovës të intensifikojnë progresin në zbatimin e reformave që lidhen me BE-në, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe lirive themelore”.

Tutje, raporti thekson progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit, raporton Klankosova.tv.

“Shpreh shqetësim për progresin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi”.

Ndërsa raporti mirëpret vlerësimin e përgjithshëm pozitiv të zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në vitin 2025, duke vënë në dukje se ato u zhvilluan në një mënyrë paqësore, konkurruese dhe gjithëpërfshirëse, ai shpreh “keqardhje për përpjekjet e vazhdueshme për të politizuar institucionet e pavarura, duke përfshirë presionin mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe mangësitë në qeverisje brenda Komisionit të Pavarur të Medias”.

Raporti thekson se mbetet i shqetësuar për zbatimin e kufizuar të strategjisë së sundimit të ligjit dhe ndjekjen e pamjaftueshme të reformave, anëtarësinë jo të plotë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe vonesat në zbatimin e reformave në drejtësi.

Po ashtu, raporti shpreh shqetësim për progresin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi; “vëren me shqetësim rënien e Kosovës në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2025, ku renditet e 76-ta nga 182 vende dhe territore, tre vende më poshtë se në vitin 2024, duke përmbysur një trend të mëparshëm të përmirësimit gradual”.

Por, raporti i Terras mirëpret faktin se është bërë njëfarë progresi në luftën kundër krimit të organizuar; “bën thirrje për një miratim të shpejtë të një strategjie kombëtare dhe plani veprimi kundër krimit të organizuar”.

Ky draft-raport vëren peizazhin pluralist mediatik të Kosovës, “por shpreh keqardhje për mungesën e progresit në sigurimin e lirisë së shprehjes; shpreh keqardhje që renditja e Kosovës për lirinë e medias ka rënë me 24 vende, në të 99-tin në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2025”.

Terras në raport përsërit shqetësimin e tij “për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias; bën thirrje për një përgjigje të përmirësuar të prokurorisë dhe përafrim të legjislacionit që lidhet me median me acquis të BE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare përkatëse”.

Tutje, theksohet edhe nevoja për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi të transmetuesit publik; raporti “bën thirrje për mbikëqyrje mbikëqyrëse të balancuar dhe përfaqësuese të Radio Televizionit të Kosovës, transmetuesit publik të Kosovës”.

Raporti shpreh shqetësim për dezinformimin në rritje rreth tensioneve ndëretnike që përhapen nga aktorët e huaj, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore; “bën thirrje për një përgjigje të forcuar institucionale dhe përmirësim të edukimit medial”.

Ndër të tjera, raporti përsërit rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga ana e autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë “në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme për normalizimin, bazuar në njohjen reciproke dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Raporti gjithashtu u bën thirrje si Kosovës ashtu edhe Serbisë “që të zbatojnë Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, duke përfshirë krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dhe heqjen e kundërshtimit të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe të shmangin veprimet e njëanshme që mund të dëmtojnë procesin e dialogut”.

Terras në raport thotë se pret që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë plotësisht dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të sjellë shpejt para drejtësisë autorët e sulmit terrorist të vitit 2023 në Banjskë, teksa shpreh keqardhje për faktin se “Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht fajtorët, veçanërisht Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe”.

Tutje, përmendet edhe fati i pazgjidhur i 1 590 personave të zhdukur, “me vetëm 26 raste të zgjidhura midis prillit 2024 deri në shtator 2025”.

Duke përmendur çështjen e zgjerimit të BE-së, raporti thekson se ky proces kërkon një momentum të qëndrueshëm reformash dhe i bën thirrje Kosovës të përshpejtojë progresin e saj në zbatimin e reformave që lidhen me BE-në, “veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe lirive themelore; thekson se ripërcaktimi i përparësive të këtyre reformave është i nevojshëm që Kosova të kthehet në rrugën e duhur drejt pranimit në BE”.

Terras thotë se mbështet kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE të paraqitur në dhjetor 2022 dhe njëkohësisht u bën thirrje pesë shteteve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën të ecin drejt njohjes, “duke i mundësuar Kosovës të përparojë në mënyrë të barabartë me kandidatët e tjerë”.

Ai rithekson mbështetjen e plotë për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për planin e orientimit strategjik të vendit për t’u bashkuar me programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) do të shqyrtojë draft-raportet për disa vende kandidate të Bashkimit Evropian (BE) gjatë një takimi të planifikuar për 16 dhe 17 mars. Raportet u përgatitën nga raportuesit përkatës të institucionit.

Pas një shkëmbimi pikëpamjesh me Komisioneren për Zgjerim Marta Kos të martën, anëtarët e komisionit do të diskutojnë detajet e draft-raporteve në lidhje me Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën, Ukrainën, Moldavinë e Serbinë të nesërmen.

Draft-raporti i AFET për Kosovën përgatitet nga raportuesi Riho Terras. Dokumenti analizon zhvillimet politike, sundimin e ligjit, ekonominë, korrupsionin, dialogun me Serbinë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ai vlerëson progresin e Kosovës në raport me BE-në; përfshin kritika, rekomandime dhe vërejtje për institucionet e Kosovës; propozon qëndrimin politik të Parlamentit Evropian për Kosovën.

Pas publikimit të këtij draft-raporti, i njëjti prezantohet në PE nga eurodeputeti Terras.

Më pas, deputetët e komitetit paraqesin amendamente (ndryshime). Komiteti AFET voton raportin, dhe raporti i miratuar shkon për votim në seancë plenare të Parlamentit Evropian

Vetëm pas këtyre hapave ai bëhet rezolutë zyrtare e Parlamentit Evropian. /Klankosova.tv

Të ngjashme