Raporti i UNFPA: Shumë gra në Kosovë dhe rajon përballen me keqtrajtim gjatë lindjes

Prishtinë | 12 Mar 2026 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Një raport i ri i publikuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) ka ngritur shqetësime serioze për përhapjen e keqtrajtimit të grave gjatë lindjes në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor si Kosova.

Sipas raportit “Kujdesi Respektues gjatë Lindjes: Përvojat dhe Perspektivat e Grave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, rreth 67 për qind e grave të anketuara në rajon kanë përjetuar të paktën një formë keqtrajtimi gjatë procesit të lindjes. Gjetjet bazohen në një anketë online me më shumë se 2,600 gra që kanë lindur së fundmi në 16 vende dhe territore.

Raporti thekson se gratë shpesh përballen me procedura mjekësore pa pëlqimin e tyre të informuar, abuzim verbal dhe fizik, si dhe shkelje të privatësisë gjatë lindjes. Pothuajse gjysma e grave (48.1 për qind) raportuan se iu nënshtruan ndërhyrjeve obstetrike si epiziotomia, lindja me prerje cezariane apo administrimi i oksitocinës pa u informuar ose pa dhënë pëlqimin e tyre.

Rreth 24 për qind e grave thanë se kanë përjetuar abuzim verbal, përfshirë bërtitje ose poshtërim nga personeli shëndetësor, ndërsa një në dhjetë gra raportoi abuzim fizik ose seksual gjatë lindjes apo gjatë ekzaminimeve gjinekologjike.

Në Ballkanin Perëndimor, raporti evidenton nivele të larta pakënaqësie me përvojën e lindjes. Sipas të dhënave, 39.2 për qind e grave të anketuara në Kosovë dhe 42.7 për qind në Shqipëri deklaruan se ishin të pakënaqura me përvojën e tyre gjatë lindjes – ndër përqindjet më të larta në rajon.

Florence Bauer, drejtoreshë rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, tha se gjetjet përbëjnë një sinjal alarmi për institucionet shëndetësore.

“Çdo grua ka të drejtë për standardin më të lartë të mundshëm të shëndetit, që përfshin kujdes dinjitoz dhe respektues gjatë lindjes. Dhuna obstetrike nuk është vetëm një çështje klinike, por edhe shkelje e të drejtave të njeriut,” tha Bauer.

Raporti vë në dukje edhe mungesën e ndërgjegjësimit dhe raportimit të rasteve. Më shumë se gjysma e grave (53.7 për qind) nuk janë të njohura me termin “dhunë obstetrike”, ndërsa vetëm 2 për qind e atyre që përjetuan keqtrajtim e raportuan zyrtarisht përvojën e tyre.

Sipas raportit, gratë e reja të moshës 18–24 vjeç dhe ato që përballen me vështirësi ekonomike ose me nivel më të ulët arsimor janë më të rrezikuara për të përjetuar keqtrajtim gjatë lindjes.

Në kuadër të publikimit të raportit, UNFPA dhe Bordi dhe Kolegji Evropian i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë (EBCOG) kanë bërë një thirrje të përbashkët për veprim, duke kërkuar nga institucionet dhe komuniteti mjekësor në rajon të ndërmarrin masa konkrete për eliminimin e dhunës obstetrike.

Masat e propozuara përfshijnë miratimin e legjislacionit që garanton kujdes respektues gjatë lindjes, forcimin e trajnimeve për personelin shëndetësor, rritjen e edukimit para lindjes për gratë dhe krijimin e mekanizmave transparentë të llogaridhënies në sistemet shëndetësore.

UNFPA thekson se kujdesi respektues gjatë lindjes është një element thelbësor për shërbime cilësore të maternitetit dhe për garantimin e dinjitetit dhe sigurisë së grave.

Të ngjashme