Komiteti i Rajoneve heq asteriksin nga emri i Kosovës dhe kërkon heqjen e masave të BE-së

Prishtinë | 12 Mar 2026 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian ka vendosur të heqë përdorimin e asteriksit në emërtimin e Kosovës në dokumentet dhe komunikimet e tij publike, ndërsa njëkohësisht ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Sipas njoftimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet zyrtare të përdorë emërtimin “Kosovë” pa asteriks, duke ndërprerë praktikën e deritanishme të përdorimit të shënimit “Kosovë*”.

Sipas AKK-së, ky vendim e harmonizon këtë institucion me qëndrimin e Parlamenti Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin “Kosovë” pa asteriks në dokumentet e tij zyrtare.

Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve ka bërë thirrje për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e vendit. Në dokument thuhet se, me rikthimin e pjesëmarrjes demokratike në nivel lokal pas organizimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, arsyet fillestare për vendosjen e masave nuk qëndrojnë më, andaj ftohet Komisioni Evropian që t’i heqë ato sa më parë.

Komiteti i Rajoneve vlerëson organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë gjatë vitit 2025, duke theksuar se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale.

Asociacioni i Komunave të Kosovës thekson se ka luajtur rol aktiv në promovimin e pushtetit lokal në proceset evropiane dhe në ngritjen e çështjeve që lidhen me komunat e Kosovës në institucionet e BE-së.

Sipas njoftimit, përmes bashkëpunimit me Komitetin e Rajoneve, rrjetet evropiane të qeverisjes lokale dhe partnerët ndërkombëtarë, AKK ka kontribuar në promovimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian, në informimin e partnerëve evropianë për ndikimin e masave të BE-së në nivel lokal dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kosovës dhe institucioneve evropiane.

Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e ka vlerësuar këtë zhvillim si një lajm shumë të rëndësishëm për Kosovën.

“Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për komunat tona. Është inkurajuese që institucionet evropiane po e njohin rolin e pushtetit lokal dhe ndikimin që vendimet e tyre kanë në jetën e qytetarëve në nivel lokal. Vendimi i Komitetit të Rajoneve për përdorimin e emrit ‘Kosovë’ pa asteriks në dokumentet e tij është gjithashtu një zhvillim i rëndësishëm institucional në nivel evropian”, tha ai.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin aktiv për forcimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian dhe për përfaqësimin e interesave të pushtetit lokal në institucionet evropiane.

Të ngjashme