Katër nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit kanë vdekur pasi një avion furnizues me karburant i ushtrisë amerikane u rrëzua në Irakun perëndimor, ka konfirmuar Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara.
Avioni i tipit Boeing KC-135 Stratotanker ishte i përfshirë në operacionet e vazhdueshme amerikane kundër Iranit. Sipas ushtrisë amerikane, dy avionë ishin përfshirë në incident, ndërsa i dyti arriti të ulej në mënyrë të sigurt, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet thanë se rrëzimi ndodhi rreth orës 14:00 sipas orës lokale dhe se shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim. Fillimisht u bë e ditur se rrëzimi nuk ishte shkaktuar nga ndonjë zjarr armik.
Megjithatë, zona ku ndodhi incidenti është një rajon i Irakut ku veprojnë milici pro-iraniane, ndërsa media shtetërore iraniane raportoi se një grup aleat kishte goditur avionin me raketë.
Identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike për t’u dhënë kohë autoriteteve të njoftojnë familjarët e tyre.
Avioni KC-135, i prodhuar nga Boeing, përdoret për furnizimin me karburant të avionëve në ajër dhe ka qenë një pjesë kyçe e operacioneve ajrore të SHBA-së për dekada.