Partia Guxo ka reaguar ndaj raportimeve për dorëheqje të pretenduara nga strukturat e saj në Deçan dhe Pejë, duke i quajtur këto informacione të pavërteta dhe spekulative.
Në një komunikatë, Guxo thekson se pretendimet për dorëheqje në masë nuk pasqyrojnë realitetin dhe kanë për qëllim krijimin e një perceptimi të rremë në opinionin publik.
“Partia GUXO informon qytetarët e vendit se pretendimet për gjoja dorëheqje në masë nga strukturat tona në Deçan dhe Pejë janë të paverteta dhe tendencioze. Këto spekulime nuk reflektojnë realitetin dhe synim të vetëm kanë të krijojnë një perceptim të rremë në opinionin publik”, thuhet në reagim.
Sipas partisë, tre individë nga Peja që po përmenden në këto pretendime nuk kanë qenë aktivë në parti për më shumë se një vit e gjysmë dhe kanë paraqitur dorëheqje disa herë më parë.
“Është me rëndësi që qytetarët tanë ta dijnë se tre individët nga Peja, të cilët po përmenden në këto pretendime, kanë paraqitur dorëheqje plot shtatë herë deri më tani dhe ka më shumë se një vit e gjysmë që janë larguar nga çdo aktivitet i Partisë Guxo”, theksohet në komunikatë.
Po ashtu, partia ka mohuar pretendimet për largim të strukturave në Deçan, duke sqaruar se vetëm dy anëtarë janë tërhequr nga dega atje.
“Publiku duhet ta dijë se nga pompa e titujve mediale se dega e Kryesia e degës në Deçan ka braktisur Partinë Guxo, ekziston vetëm një e vërtetë: dy anëtarë të kësaj dege janë tërhequr nga Guxo. Kjo është e gjitha dhe faktet jo vetëm se janë kokëforta, por ato mund të vërtetohen lehtë”, thuhet më tej.
Guxo ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të japë më shumë detaje për këto zhvillime dhe do të demantojë, siç thotë, çdo dezinformatë që po qarkullon.
“Gjatë ditëve në vijim do të dalim me njoftime më të hollësishme për të gjitha këto zhvillime dhe do ta demantojmë çdo dezinformatë që po qarkullon”, thuhet në reagim, duke shtuar se të hënën, më 16 mars, kryetarja e Partisë Guxo do të shpalosë para opinionit publik qëndrimet e plota lidhur me këto zhvillime.