PDK: Kurti po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë dhe po cenon sovranitetin e Kosovës

Prishtinë | 14 Mar 2026 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar për, siç thotë, kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti, duke vlerësuar se ato po cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Në një komunikatë për media, PDK-ja pretendon se me vendimet e fundit Kurti ka bërë dy lëshime të rënda që lidhen me funksionimin e strukturave të Serbisë në Kosovë.

“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim.

PDK-ja pretendon gjithashtu se këto vendime janë rezultat i negociatave të zhvilluara pa transparencë dhe larg vëmendjes së opinionit publik.

“Këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence dhe në kohën kur po inskenohej kriza e radhës institucionale, me të cilat ai dhe partia në pushtet po e dëmtojnë funksionalitetin e Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas kësaj partie, për vite me radhë Kurti kishte deklaruar se strukturat paralele të Serbisë nuk ekzistojnë më në Kosovë.

“Për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërkohë që me vendimet e tij po e pranon publikisht ekzistencën e tyre dhe po krijon kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre”, thekson PDK-ja.

Në reagim përmendet edhe deklarata e kryeministrit në Davos, ku sipas PDK-së ai kishte thënë se strukturat paralele nuk ekzistojnë më.

“Ironikisht, vetëm pak javë më parë në Davos ai deklaronte para botës se strukturat paralele nuk ekzistojnë më. Ndërsa tani, përmes kompromisit të tij politik, po u jep atyre një legjitimitet të ri”, thuhet në komunikatë.

PDK-ja shton se këto zhvillime janë, sipas saj, vazhdim i logjikës së marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë, përfshirë Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

“Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional, të cilat tashmë po prodhojnë pasoja konkrete në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës”, thuhet në reagim.

PDK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndalë politikat që, sipas saj, po krijojnë konfuzion institucional.

“Ligjet e Republikës së Kosovës duhet të zbatohen plotësisht dhe njësoj për të gjithë, ndërsa çdo strukturë ilegale që vepron jashtë sistemit shtetëror duhet të mbyllet”, thekson PDK-ja, duke shtuar se “Qeveria Kurti duhet të ndërpresë menjëherë politikat e dëmshme që po prodhojnë konfuzion institucional dhe po e fuqizojnë narrativën e Serbisë ndaj Kosovës”.

Të ngjashme