Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zhvilluar një aksion të mbikëqyrjes dhe inspektimit të lodrave për fëmijë, me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve që vendosen në tregun e brendshëm dhe mbrojtjen e konsumatorëve, me fokus të veçantë në shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.
Sipas njoftimit, gjatë këtij aksioni janë realizuar kontrolle të shtuara si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në zonat doganore, për të parandaluar hyrjen dhe qarkullimin e lodrave që nuk përmbushin standardet e kërkuara të sigurisë, të parapara në Rregullorja Nr. 02/2017 për Sigurinë e Lodrave.
“Në kuadër të këtij aksioni janë realizuar kontrolle të shtuara si në tregun e brendshëm ashtu edhe në zonat doganore, për të parandaluar hyrjen dhe qarkullimin e lodrave që nuk përmbushin standardet e kërkuara të sigurisë”, thuhet në komunikatë.
Si rezultat i inspektimeve në zonat doganore, autoritetet kanë ndaluar mbi 38 mijë lodra për fëmijë, me vlerë rreth 100 mijë euro.
“Si rezultat i inspektimeve të kryera në zonat doganore, janë ndaluar mbi 38,000 copë lodra për fëmijë, në vlerë prej afro 100,000 €, të cilat nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve dhe nuk kanë poseduar dokumentacionin përkatës për vendosje në tregun e brendshëm”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve të zhvilluara në tregun e brendshëm janë sekuestruar edhe mijëra lodra të tjera.
“Gjatë kontrolleve në tregun e brendshëm janë sekuestruar mbi 2,547 copë lodra për fëmijë, për të cilat është konstatuar se nuk i përmbushnin standardet e sigurisë”, thekson Inspektorati.
Ky institucion thekson se siguria e konsumatorëve, veçanërisht e fëmijëve, mbetet prioritet i pandashëm i punës së tij.
“Përmes këtyre aksioneve synohet që në treg të gjenden produkte të sigurta dhe në përputhje me standardet ligjore, duke kontribuar kështu në mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në komunikatë.
Inspektorati ka bërë të ditur se kontrolle të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që të respektojnë kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë për produktet që vendosin në treg.