Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se pas aplikimit në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Komunës së Prishtinës i është aprovuar projekti për ndërhyrje në rrugën “Qamil Hoxha” në kryeqytet.
Sipas njoftimit, projekti do të zbatohet brenda kufijve të zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës dhe në afërsi të aseteve të veçanta që janë pjesë e regjistrit shtetëror të trashëgimisë kulturore arkitekturore.
“Projekti implementohet brenda kufijëve të zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës dhe aseteve të veçanta në afërsi, pjesë e regjistrit shtetëror të aseteve të trashëgimisë kulturore arkitekturore. Si i tillë, ai nuk mund të implementohet pa leje të shkruar nga institucioni kompetent IKMM sikurse e përcakton neni 6, paragrafi 9 i Ligjit Nr. 02/L-088 për Trashëgiminë Kulturore”, thuhet në njoftim.
Nga MKRS bëhet e ditur se pasi IKMM ka pranuar aplikimin nga Komuna e Prishtinës dhe pas shkëmbimit të rekomandimeve ndërmjet institucioneve, projekti është miratuar dhe zbatimi i tij po vazhdon në përputhje me bazën ligjore.
“Në momentin që IKMM ka pranuar aplikimin nga Komuna, pas shkëmbimit të rekomandimeve, projekti tashmë është miratuar dhe po vazhdon ekzekutimin në pajtim të plotë me bazën ligjore”, thuhet në njoftim.
Ministria e Kulturës u ka bërë thirrje të gjithë investitorëve, qofshin persona juridikë apo fizikë, publikë apo privatë, që të mos nisin zbatimin e projekteve në zona të mbrojtura pa aprovimet paraprake nga institucionet përkatëse.
“Ministria e Kulturës riafirmon ftesën për të gjithë investitorët, persona juridikë dhe fizikë, publik apo jo publik, që të mos inicojnë zbatim të projekteve nëpër zona mbrojtëse apo hapësira konservuese arkitekturale apo tjera pa aprovimet paraprake nga institucionet shtetërore të fushës së trashëgimisë kulturore, për shkak të pasojave ligjore”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore veprojnë ndaj çdo rasti të ndërhyrjeve të paautorizuara, pa përjashtime.
“Institucionet publike të fushës së trashëgimisë kulturore veprojnë ndaj të gjitha palëve pa përjashtim në çdo rast që ndërmerren veprime të paautorizuara. Një gjë e tillë në raste shumë më të izoluara ka ndodhur edhe me vet Ministrinë kur kjo e fundit ka qenë investitore”, thuhet në njoftim.
MKRS ka rikonfirmuar gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha palët në mënyrë që projektet të shqyrtohen në afat dhe të harmonizohen me standardet profesionale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Ne rikonfirmojmë vullnetin e plotë për të bashkëpunuar e vepruar shpejt dhe me qartësi që kërkesat e palëve të shqyrtohen brenda afateve dhe që projektet të harmonizohen me parimet, kushtet dhe kriteret profesionale të menaxhimit, ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, thuhet në njoftim.