Neymar mesazh Ancelottit: Dua të rikthehem në kombëtare dhe të luaj në Botëror

Prishtinë | 16 Mar 2026 | 10:33 | Nga Ekonomia Online

E ardhmja e Neymarit në kombëtaren e Brazilit mbetet në dyshim për Botërorin e ardhshëm që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada..

Pas barazimit 1-1 në shtëpi mes Santos dhe Corinthians në kampionatin brazilian, ylli brazilian zbriti në fushë në një nga ndeshjet e fundit përpara se trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ta bëjë përzgjedhjen zyrtare për dy miqësoret vendimtare në prag të Kupës së Botës.

Në fund të ndeshjes, ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit foli për “ESPN” dhe e dërgoi një mesazh të qartë për trajnerin italian, përcjell “Gazeta Express”.

“Dua të rikthehem në kombëtare dhe të luaj në Botëror, por nuk varet nga unë.”

“Pavarësisht nëse do të jem apo jo aty, gjithmonë do të bëj tifo për Brazilin.”

“Ney” mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me 79 gola, por ndeshjet miqësore ndaj Francës dhe Kroacisë do të jenë testet e fundit para se Ancelotti ta shpallë listën përfundimtare të lojtarëve që do të marrin pjesë në Botëror.

Sipas raportimeve të klubit brazilian, dy anëtarë të stafit të federatës së Brazilit ishin të pranishëm në stadium për ta ndjekur ndeshjen kundër Corinthians.

Megjithatë, Ancelotti ka qenë i qartë: në Botëror do të marrë vetëm futbollistë që janë në 100% të formës fizike.

Trajneri italian ka lënë të kuptohet gjithashtu se disa lojtarë me eksperiencë mund të mos kenë nevojë për teste të tjera, gjë që ia lë Neymarit një shpresë të vogël edhe në rast se nuk ftohet në miqësoret e ardhshme.

Megjithatë, ndjesitë për gjendjen fizike të brazilianit 34-vjeçar nuk janë shumë pozitive.

Ish-lojtari i PSG e pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar në tetor 2023 dhe iu nënshtrua një tjetër operacioni në gju në dhjetor.

Këtë vit ai i ka regjistruar më pak se 10 paraqitje me Santos, megjithëse vazhdon ta tregojë talentin e tij.

Madje disa raportime sugjerojnë se mungesa e tij në ndeshjen ndaj Mirassol FC mund t’i ketë kushtuar me ftesën për Botëror, pasi Ancelotti u informua për mungesën e sulmuesit vetëm pak orë para fillimit të ndeshjes.

Të ngjashme