Besa Shahini nga PSD ka thënë se përmes Ligjit për të huajt, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi integrimin e strukturave paralele serbe në arsim dhe shëndetësi.
Sipas saj Kurti në fundjavë u tërhoq nga kjo ide, sipas saj sikur nga shumë premtime “patriotike” të fushatës zgjedhore.
“Kryeministri Kurti paralajmëroi integrimin e strukturave paralele serbe në arsim dhe shëndetësi përmes “ligjit për të huajt”. Gjatë fundjavës u tërhoq nga kjo ide – si nga shumë premtime “patriotike” të fushatës zgjedhore. Por edhe sikur ta zbatonte ligjin për të huajt, kjo nuk do të çonte në integrimin e strukturave serbe. Për të kuptuar planin real të Kurtit, mjafton të lexohet draft-statuti i Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ai dokument siguron që arsimi në gjuhën serbe (dhe shendetësia!) të mos integrohet kurrë në sistemin e Kosovës. Shkollat serbe aty trajtohen si shkolla private që funksionojnë me kurrikulë të huaj – konkretisht me kurrikulën e Serbia – dhe menaxhohen nga Asociacioni. Sot, një pjesë e mësuesve serbë paguhen nga buxheti i Kosovës, pra janë të regjistruar dhe të lidhur me sistemin institucional të vendit. Me draft-statutin edhe kjo lidhje shkëputet: mësuesit do të paguhen nga Asociacioni, ndërsa Kosova mbetet vetëm një kontribuese financiare”, ka shkruar ajo.
Më tej ka bërë edhe akuza se “Në vend të integrimit të strukturave paralele në sistemin e Kosovës, Kurti po bën të kundërtën: po institucionalizon ndarjen e tyre. Jo vetëm politikisht. Por edhe administrativisht dhe praktikisht. Kjo minon çdo shpresë për bashkëjetesë në të ardhmen, si dhe vetë shtetin e Kosovës. Dhe e bën këtë pa marrë asgjë në këmbim — as garanci politike, as përparim drejt Bashkimi Evropian”.