Mbrëmë, në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, është mbajtur një mbledhje me drejtuesit e qendrave në Kosovë dhe në mërgatë, me pjesëmarrjen e krerëve të lartë të subjektit politik.
Në takim morën pjesë Kryeministri i Republikës, Albin Kurti, Sekretari Organizativ Alim Rama, Kryetarja e Kuvendit dhe njëherazi Kryetarja e GVV-së, Albulena Haxhiu, si dhe Koordinatori për Qendra, deputeti Salih Zyba.
Sipas njoftimit të Lëvizjes, në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për çështje organizative që lidhen me funksionimin e përditshëm të strukturave.
“Në takimin me drejtuesit e Qendrave dhe drejtueset e GVV-ve në Qendra, u diskutua për situatën politike në vend dhe me theks të veçantë edhe për çështje organizative që ndërlidhen me përditshmërinë e punës së strukturave tona organizative”, thuhet në njoftim.
Një nga temat kryesore ishte edhe procesi i zgjedhjeve të brendshme që pritet të zhvillohet gjatë këtij viti. Lëvizja thekson se 2026 është vit zgjedhor për strukturat e saj, ndërsa aktualisht ndodhet në fazën përgatitore.
“Aktualisht jemi në fazën përgatitore, ku gjithandej lagjeve e fshatrave të vendit tonë, aktivistët që drejtojnë strukturat tona organizative do të organizojnë procesin e brendshëm zgjedhor”, theksohet më tej.
Sipas njoftimit, ky proces synon freskimin dhe plotësimin e pozitave drejtuese, si dhe rritjen e përfshirjes së mbështetësve.
“Duke freskuar e plotësuar pozicionet drejtuese e duke pasur përfshirje akoma më të madhe të mbështetësëve tanë, i shërbejmë konsolidimit të strukturave tona në të tria nivelet drejtuese”, thuhet në deklaratë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! vlerëson se strukturat e saj, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë, mbeten të gatshme për angazhim politik dhe organizativ.
“Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Kosovë e Mërgatë, janë të gatshme për angazhim e punë krahas aktualitetit politik e organizativ, sikurse përherë”, thuhet tutje në njoftim.
