Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas vendimit për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap të mirëpritur, por të vonuar.
Sipas Hamzës, këto masa ishin pasojë e tensioneve dhe mungesës së koordinimit të Qeverisë me aleatët ndërkombëtarë, por ai theksoi se progresi nuk mund të arrihet përmes ndëshkimit.
“Heqja e masave nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës është një vendim i vonuar, por i mirëpritur. Këto masa u vendosën si pasojë e tensioneve dhe moskoordinimit politik të kësaj Qeverie me aleatët tanë, megjithatë as progresi nuk mund të arrihet përmes ndëshkimit, por përmes partneritetit dhe bashkëpunimit”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka theksuar se, historikisht, problem për Evropën ka qenë Serbia dhe jo Kosova, duke shtuar se vendi ynë ka rol kyç në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
“Për Evropën, problemi historikisht ka qenë Serbia dhe jo Kosova. Kosova është pjesë e forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë”, është shprehur ai.
Hamza ka vlerësuar se masat ndëshkuese kanë prekur padrejtësisht qytetarët, ekonominë dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
“Për rrjedhojë, këto masa ndëshkuese kanë prekur padrejtësisht qytetarët, ekonominë dhe perspektivën tonë evropiane. Qytetarët tanë nuk do të duhej të ndëshkoheshin për shkak të papërgjegjësisë së Qeverisë”, ka thënë ai.
Në fund, kreu i PDK-së ka theksuar se Kosova meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje të plotë nga Bashkimi Evropian, duke rikujtuar orientimin e fuqishëm proevropian të qytetarëve të saj.
“Si vendi me qytetarët më proevropianë në Ballkanin Perëndimor, Kosova meriton trajtim të drejtë, mbështetje të plotë dhe një rrugë të qartë drejt integrimit evropian, pa pengesa që e vonojnë këtë proces”, ka përfunduar Hamza.