Manchester City nuk ia doli në fund, duke u eliminuar nga Champions League nga Real Madridi.
Fatal ishte humbja 0:3 e pësuar në ndeshjen e parë në Bernabeu, ndërsa në Etihad “Citizens” u mposhtën 2-1 nga dygolëshi i Vinicius Junior dhe kartoni i kuq i Bernardo Silvas.
Pep Guardiola, trajneri i skuadrës angleze, u paraqit në konferencë për shtyp për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas ndeshjes në shtëpi, shkruan “Gazeta Express”.
“Do të ndiheshe i kënaqur duke u larguar nga City me vetëm një Champions League të fituar?”, ishte një nga pyetjet e para.
Dhe trajneri spanjoll u përgjigj duke qeshur: “Të gjithë duan të më shkarkojnë, apo jo?”, ironia e zakonshme e Guardiolës.
“Një ditë do të vij këtu dhe do të them ‘mirupafshim djema’. Por jam ende këtu, me edhe një vit kontratë”, sqaroi ai.
“Keni të drejtë, duhet t’i fitoj gjashtë Champions League për t’u vlerësuar. Sigurisht. Në sezonin tim të parë këtu më pyesnit: ‘A do ta fitosh Championsin?’ Ne bëmë 100 pikë (në Premierligë). ‘A do ta fitosh Championsin?’ Në fund, e fituam. Tani, pse nuk kemi fituar pesë apo gjashtë?”, iu përgjigj ai polemike ndaj mediave.
“Ne u përpoqëm. Kemi qenë në finale të tjera, në gjysmëfinale; fatkeqësisht në dy edicionet e fundit jemi eliminuar, por në këtë klub kemi tentuar ta rrisim nivelin në Champions League dhe nëse nuk ia dalim nuk është diçka pozitive”, ishte analiza e qartë e Guardiolës pas humbjes 2-1 në ndeshjen e kthimit kundër Real Madridit.
“Do të doja ta kisha ndjesinë që e ka Real Madridi. Nëse nuk e fiton Championsin, është dështim. Ky është presioni. Pep është një dështim, nuk e fiton Championsin, por është në rregull kështu. Me kohën, ndoshta do të arrijmë atje.”
Guardiola theksoi se është optimist për të ardhmen e Manchester Cityt pavarësisht eliminimit në fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve.
“Rezultatet nuk kanë qenë të mira, përveç ndeshjes kundër Newcastlet, por e kam ndjesinë se jemi një skuadër e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
“Shoh shumë gjëra pozitive që më pëlqen t’i shoh, por ende nuk jemi të kompletuar. Nuk jemi të vetëdijshëm që në momente të caktuara duhet të jemi më cinikë, ende nuk jemi. Por, ndjesia ime është se është çështje kohe, ashtu si kur erdha këtu në sezonin tim të parë. Pak kohë. Kemi ndryshuar shumë gjëra”, përfundoi ish-trajneri i Barcelonës.