Blerim Shabani, drejtor i departamentit për politika të shërbimeve sociale dhe familjare në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, ka mbajtur një konferencë për media lidhur me dyshimin për keqtrajtimin e 5-vjeçarit nga prindërit në Lipjan, raporton Ekonomia Online.
Ai përmendi hapat që ka ndërmarrë ky departament, derisa theksoi se çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit është kompetencë ekskluzive e komunës.
“Ne kemi marrë disa hapa siç është mbikëqyrja profesionale, kemi kërkuar një raport kronologjik të hollësishëm lidhur me trajtimin, menaxhimin e rastit të fëmijës nga Qendra për Punë Sociale dhe normalisht, në përputhje me këto kompetenca dhe përgjegjësi, kemi autorizuar edhe njësinë inspektuese, e cila është në kuadër të ministrisë në të cilën ne bëjmë pjesë. Por ajo çka është e rëndësishme të sqarojmë edhe për opinionin e gjerë publik është që çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit është një çështje e kompetencës ekskluzive e komunës, gjithësisht e komunave, për sa i përket ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare, e më saktë e Qendrës për Punë Sociale, e cila është në kuadër të kompetencave të komunës. Në Republikën e Kosovës kemi 38 Qendra për Punë Sociale, ku në secilën komunë ka nga një Qendër për Punë Sociale e cila menaxhohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga komuna, gjithësisht komunat”, tha ai.
Shabani, ka theksuar se janë në pritje të raportit preliminar lidhur me këtë rast.
“Për t’iu rikthyer edhe një herë çështjes në fjalë: në momentin që si ministri jemi vënë në dijeni, në përputhje me kompetencat, rolin, mandatin dhe autorizimet që na jep legjislacioni primar dhe sekondar, ne kemi ofruar pëlqimin për vendosjen e fëmijës, gjithësisht fëmijëve, në strehim familjar, në familje që janë të vlerësuara dhe të aprovuara që ofrojnë shërbime për fëmijët pa kujdes prindëror. Dhe normalisht, edhe autorizimin për njësinë inspektuese, e cila në bazë të autorizimeve që i jep Ligji i Shërbimeve Sociale dhe Familjare, ka filluar procesin e vlerësimit të rrethanave mbi përmbushjen e detyrimeve për sa i përket çështjeve të menaxhimit të rastit në fjalë. Nuk do të doja që të shkoja në informacione që janë të tipit të hamendësimeve, sepse kjo do të krijonte dilema edhe për opinionin publik, mirëpo po presim edhe raportin kronologjik dhe normalisht po presim edhe raportin preliminar nga inspektimi lidhur me çështjet e trajtimit të rastit të fëmijës”, theksoi Shabani.
