Segmenti 9.6 kilometra i rrugës Prishtinë–Mitrovicë është përuruar sot, pas përfundimit të punimeve brenda afatit dyvjeçar dhe me investim prej 25 milionë eurosh, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se projekti, i nisur fillimisht në vitin 2009 dhe i mbetur i papërfunduar, është realizuar me standarde të larta dhe në bashkëpunim me Fondin Saudit për Zhvillim dhe Fondin e OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar.
Kurti theksoi se punimet kanë përfunduar brenda afatit të plotë dyvjeçar, duke dëshmuar, sipas tij, dinamikë të lartë pune, efikasitet dhe cilësi maksimale në ekzekutim.“Punimet në këtë projekt kanë përfunduar përbrenda afatit të plotë dyvjeçar, që tregon se kemi pasur dinamikë të lartë të punës, efikasitet në realizim dhe bashkë me këto edhe cilësi maksimale në ekzekutim. Mos të harrojmë që ky projekt ka nisur në vitin e largët 2009, por nuk u përfundua asnjëherë për shkak se u nis mbrapsht. Ky investim prej 25 milionë euro, me gjatësi prej 9.6 kilometra, është realizuar në bashkëpunim të institucioneve tona me Fondin Saudit për Zhvillim, si dhe Fondin e OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar, për çfarë i falënderoj për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar”, tha Kurti.
Ai shtoi se projekti përfshin zgjerimin e rrugës në katër korsi, ndërtimin e një bypass-i 4.4 kilometra jashtë trasesë ekzistuese që kalon nëpër shtatë fshatra, si dhe ndërtimin e tetë nënkalimeve, tri mbikalimeve dhe një ure.
“Projekti është ndërtuar me standarde të larta dhe moderne, e si i tillë sjell siguri, zhvillim e mundësi për të gjithë banorët e zonës, përfshirë kryeqytetin Prishtinën, dhe komunat e Vushtrrisë e të Mitrovicës. Projekti është realizuar në dy vite, dhe përfshin zgjerimin e rrugës në katër korsi, pastaj ndërtimin e bypass-it 4.4 kilometra jashtë trasesë ekzistuese e që kalon nëpër shtatë fshatra, dhe gjithashtu ka të ndërtuara edhe tetë nënkalime, tri mbikalime dhe një urë.
Kjo nënkupton më pak kohë në trafik, më shumë siguri, qarkullim më të lehtë dhe lidhje të reja të cilat bashkojnë edhe më shumë tërë rajonin verior të vendit tonë në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Kurti bëri të ditur se në mbledhjen e tretë të mandatit të ri qeverisës është marrë vendimi për procedim për ratifikim në Kuvendin e Kosovës i marrëveshjes së kredisë me Fondin Saudit për Zhvillim për pjesën e mbetur të rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë–Mitrovicë.
“Në anën tjetër, në këtë mandat të ri qeverisës, qysh në mbledhjen e tretë të qeverisë sonë, e kemi marrë vendimin për procedim për ratifikim në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes së kredisë për projektin e rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë, ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës, për të proceduar sa më parë edhe me pjesën e mbetur të kësaj rruge e cila e lidh Prishtinën me Mitrovicën. Urojmë që sa më parë Kuvendi i Republikës të zhbllokohet dhe ky projekt të nisë menjëherë”, tha ai.
Edhe ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, theksoi rëndësinë e projektit, duke e cilësuar atë si një rrugë moderne me katër korsi dhe me sistem të plotë drenazhimi.
“Ky projekt, siç e tha kryeministri, 9.6 kilometër, 25 milionë euro, që është një rrugë jashtëzakonisht moderne që ka drenazhim në të gjithë rrugën me katër korsi dhe po besoj që e lehtëson qarkullimin dhe ofron siguri për krejt qytetarët që qarkullojnë këtë rrugë. E tha kryeministri, këtu përfshin edhe bypass-in që i kryen dy funksione: në njërën anë e lehtëson trafikun, në anën tjetër lidh shtatë fshatra. Dhe po besoj që lajm i mirë që sapo e dha kryeministri, që është marrëveshja ndërkombëtare që fillon pjesa tjetër e rrugës Besi-Smrekonica në Mitrovicë, dhe kështu do ta kemi një katër korsi prej Mitrovicës deri në Prishtinë që e lehtëson qarkullimin. Dhe po besoj, siç e tha kryeministri, nevojitet aktivizimi i Kuvendit për ratifikimin e kësaj marrëveshje”, tha ai.


