Një fëmijë 5-vjeçar në Lipjan ditë më parë dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit e tij.
Ndërsa, i njëjti është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të marrë trajtimin e nevojshëm.
I mituri i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike, pasi ishte sjellë në gjendje të rënduar.
Ekipi i Ekonomia Online ka qëndruar sot në fshatin Janjevë të Lipjanit, më saktësisht afër shtëpisë së 5-vjeçarit por se aty nuk ishte askush.
Për rastin e fëmijës 5-vjeçar, Ekonomia Online ka qenë edhe në Komunë të Lipjanit për të marrë përgjigje se çka konkretisht ka ndodhur me këtë rast, por se në këtë të fundit nuk kanë dashur të prononcohen.
Njëjtë kanë vepruar edhe në Qendrën për Punë Sociale në këtë komunë.
Kurse sot, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se do të merren të gjitha masat ligjore nëse konstatohen shkelje nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan lidhur me rastin tragjik të fëmijës pesëvjeçar.
Sipas tij, kjo familje nga viti 2013 ka qenë nën trajtim të Qendrës për punë Sociale në Lipjan dhe rrjedhimisht disa herë janë marrë fëmijët nga prindërit, por janë rikthyer prapë pas trajtimit dhe pas analizave psikiatrike dhe diagnostifikimit që e ka bërë shëndeti mendor.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas mbledhjes së sotme të Qeverisë ka thënë se gjendja e fëmijës 5-vjeçar është e mirë dhe se i njëjti ka filluar edhe komunikimin, raporton Ekonomia Online.


