Policia publikon pamjet nga magazina e mbushur me kanabis, drejtori i Burgut të Rrogozhinës shpallet në kërkim

Prishtinë | 19 Mar 2026 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Policia ka publikuar pamjet ku duket momenti i ndërhyrjes në godinën e mbushur me kanabis, që rezulton të jetë në pronësi të drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.

Gjatë kontrollit, në kuadër të operacionit të koduar “Kurtaj”, u gjetën rreth 4,000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivim.

Policia njofton se, përveç Hasës, në kërkim është shpallur edhe një tjetër person, E.M., përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit, për veprën penale “shpërdorim detyre”.

“Gjatë kontrollit, u konstatuan dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Ambienti rezultoi në pronësi të shtetasit B.H., i cili u shpall në kërkim. Për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, u shpall në kërkim edhe E.M., përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit. Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre,” njofton policia.

Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, vijon dhe po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Të ngjashme