Ramush Haradinaj akuzon Qeverinë Kurti për ndaljen e projektit të Autostradës së Dukagjinit

Prishtinë | 20 Mar 2026 | 19:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për të larguar nga mbështetja financiare projektin e Autostradës së Dukagjinit, duke e cilësuar këtë si një çështje të gabuar prioritetesh zhvillimore.

Në një postim publik, Haradinaj theksoi se gjatë mandatit të tij qeverisës, “projektimi i Autostradës së Dukagjinit ka qenë një hap konkret drejt realizimit të një prej projekteve më të rëndësishme zhvillimore për Kosovën”.

Ai kritikoi qeverinë aktuale.

“Në vend që ky projekt të shtyhej përpara, Qeveria Kurti ka vendosur ta largojë nga mbështetja financiare, duke e lënë anash një proces që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, turizëm dhe zhvillimin rajonal”.

Sipas tij, vendimi nuk lidhet vetëm me aspektin financiar.

“Kjo nuk është thjesht një çështje buxheti, është çështje prioritetesh”, u shpreh Haradinaj.

Ai paralajmëroi se ndërprerja e mbështetjes për projektin sjell pasoja konkrete

“Heqja e mbështetjes financiare nënkupton shtyrje të projektit, humbje kohe dhe humbje mundësish për qytetarët e Dukagjinit”.

Duke nënvizuar rëndësinë strategjike të autostradës, Haradinaj shtoi se ajo “do të lidhte Istogun, Pejën, Deçanin, Gjakovën, Rahovecin, Suharekën dhe Prizrenin në një korridor të vetëm ekonomik”, duke ulur kostot për bizneset dhe duke rritur investimet.

Në fund, ai ngriti një pyetje për qeverinë.

“Pse u largua nga financimi një projekt që i shërben drejtpërdrejt qytetarëve dhe ekonomisë së vendit?”, duke shtuar se “qytetarët e Dukagjinit nuk kanë nevojë për arsyetime, ata kanë nevojë për këtë autostradë”.

Të ngjashme