Policia e Kosovës, përmes raporti 24 orësh ka njoftuar se ka zbuluar armë dhe pajisje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në veri të vendit.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 21 mars 2026 rreth orës 11:55 në fshatin Varagë, në komunën e Zubin Potokut, ku gjatë patrullimit dhe kontrollit zyrtarët policorë kanë hasur në armatim të paligjshëm.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar një armë automatike e tipit AK-47 me pesë karikatorë të mbushur me gjithsej 68 fishekë, si dhe dy uniforma të kamufluara dhe pajisje për pastrimin e armëve.
Po ashtu, në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një granatë dore, e cila është tërhequr në mënyrë të sigurt nga njësiti për deminim.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat dhe origjinën e armatimit të gjetur.