Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm si i shkëlqyer, ndërsa u diskutuan edhe mundësitë për avancimin e tij në fusha me interes të përbashkët. Po ashtu, u mirëprit vazhdimi i mbështetjes financiare përmes kornizës së bashkëpunimit prej 50 milionë eurosh për periudhën 2026–2030.
Kryeministri Kurti theksoi rezultatet konkrete që kanë dalë nga ky partneritet, duke e cilësuar Luksemburgun si një aleat të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
“Vlerësojmë shtetin e Luksemburgut si partner kyç në inovacion, transformim digjital, zhvillim të aftësive dhe tranzicion të gjelbër,” u shpreh ai.
Në takim u potencua edhe rëndësia e avancimit të reformave në drejtësi dhe arsim, si dhe bashkëpunimi për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë.
Sipas njoftimit, ky bashkëpunim po sjell ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social, veçanërisht për të rinjtë dhe bizneset.
“Ky bashkëpunim po kontribuon në forcimin e arsimit profesional, mbështetjen e start-up-eve dhe avancimin drejt një ekonomie më të qëndrueshme,” thuhet në komunikatë.