Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), brenda këtij viti, do të publikojë një udhërrëfyes kombëtar për përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve, me afate konkrete dhe institucione përgjegjëse, i cili do të jetë i hapur për publikun, raporton Ekonomia Online.
Kështu tha sot ministri i këtij dikasteri, Armend Muja, në Konferencën Ndërkombëtare me temën “Roli i EFSA-s në mbështetjen e vendeve të IPA-s në rrugën e tyre drejt standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve”, e organizuar nga MBPZhR dhe AUV në bashkëpunim me Autoritetin Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA).
“Brenda vitit, bashkë me agjencitë dhe stafin e Ministrisë, do të publikojmë dhe do të draftojmë një udhëzim të ri, i cili përafron në terma të qartë dhe me përgjegjësi totale çdo standard të mundshëm në këtë sektor, çdo standard të Bashkimit Evropian. Ne duhet të jemi konkurrues duke zbatuar standardet më të larta. Brenda 12 muajve po ashtu do të reformojmë sistemin e inspektimit. Nga një inspektim formal, po kalojmë në një inspektim i cili bazohet në rrezik. Nuk ka nevojë që bizneset tona të ngarkohen me kontrolle të panevojshme. Ato do të bazohen vetëm në rrezik. Në fund, më lejoni të potencoj që deri në vitin 2027, sistemi digjital i plotë i gjurmueshmërisë do të jetë një nga prioritetet tona esenciale në këtë sektor. Duhet të përmend edhe diçka tjetër: siguria ushqimore moderne kërkon një qasje të integruar që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Për këtë arsye, në kuadër të këtij vizioni të ri, do të fuqizojmë qasjen ‘One Health’ . Do të ndërtojmë mekanizma të koordinuar për të adresuar të gjitha rreziqet që i kanosen të gjitha qenieve dhe shëndetit në tërësi”, deklaroi ministri Muja.
Sipas tij, siguria ushqimore nuk është vetëm çështje teknike por edhe kontratë mes shtetit dhe qytetarit.
“Siguria ushqimore nuk është vetëm çështje teknike ajo është kontratë mes shtetit dhe qytetarit. Është një marrëdhënie besimi që ndërtohet çdo ditë dhe është një investim që duhet ruajtur përjetësisht. Sepse pa siguri ushqimore nuk ka shëndet, pa shëndet publik nuk ka ekonomi të qëndrueshme, dhe pa ekonomi të qëndrueshme e pa standarde nuk do të ketë integrim në Bashkimin Evropian”, shtoi ministri Muja.
Ministri Muja, ndër të tjera theksoi se bujqësia mbetet një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit.
“Bujqësia mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Është burim i të ardhurave për shumë fermerë në Kosovë. Sipas të dhënave të fundit, vlera e shtuar bruto e sektorit të bujqësisë në vitin 2025 ka arritur mbi 810 milionë euro. Kjo sipas meje tregon një zhvillim të rëndësishëm në Kosovë, një mundësi për fermerët, por mbi të gjitha edhe nevojën që të sigurohen standarde më të larta të sigurisë ushqimore. Kjo mundëson hapjen e shtigjeve të reja të eksportit për kompanitë tona”, ka thënë Muja.
Ai, shtoi se Kosova në vitet e fundit ka bërë progres sa i përket sistemit të sigurisë ushqimore.
“Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në vitet e fundit për sistemin e sigurisë ushqimore. Kemi siguruar financim të fushatave vaksinuese dhe kemi avancuar dukshëm në sistemin e gjurmueshmërisë. Megjithatë, duhet të jemi koshientë se ende jemi në një fazë të ndërmjetme të progresit sa i përket standardeve të sigurisë ushqimore”, tha Muja.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe të EFSA-s, kryetari i Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës.

