Pacolli vendos “rregull dhe ligjshmëri” për gurëthyesit, afat 15-ditor për verifikim dhe masa të rrepta ndaj shkelësve

Prishtinë | 24 Mar 2026 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar për një vendim të ri që synon vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë në sektorin e gurëthyesve në Kosovë, duke reaguar ndaj dëmeve të vazhdueshme në mjedis nga shfrytëzimi i pakontrolluar ndër vite.

Në një postim publik, ministrja theksoi se “për vite me radhë, malet dhe peizazhet e Kosovës janë dëmtuar nga shfrytëzimi shpeshherë i pakontrolluar dhe përtej lejeve nga veprimtaria e gurëthyesve”.

Ajo bëri të ditur se ka ndërmarrë hapa konkretë për adresimin e kësaj çështjeje, duke nënshkruar një vendim urgjent.

“Kam nënshkruar sot një vendim urgjent dhe të pakompromis për vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë në këtë sektor”, deklaroi Pacolli.

Sipas vendimit, të gjithë operatorët e gurëthyesve obligohen që menjëherë t’i nënshtrohen një procesi të plotë verifikimi për pajtueshmëri ligjore, teknike dhe mjedisore.

Ministrja theksoi se afatet janë të qarta dhe të panegociueshme.

“Operatorët obligohen që brenda 15 ditëve t’i përgjigjen kërkesës së Ministrisë. Ky afat është i padiskutueshëm”.

Ajo paralajmëroi edhe masa të menjëhershme në rast të mosrespektimit të vendimit.

“Mosdorëzimi i dokumentacionit brenda këtij afati rezulton me humbjen e të drejtës për shqyrtim administrativ, si dhe aktivizimin e menjëhershëm të inspektimit të jashtëzakonshëm në terren”, theksoi Pacolli.

Të ngjashme