Rritet bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri në luftën kundër krimit të organizuar

Prishtinë | 24 Mar 2026 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, është pritur në një takim pune nga drejtuesja e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, Griselda Haxhiaj, në ambientet e kësaj të fundit. Takimi u zhvillua me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve kyçe të drejtësisë dhe sigurisë nga të dy vendet.

Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, prokurorja e Kukësit Vilma Kapa, prokurorja e Prizrenit Ervehe Gashi, si dhe hetues nga Policia e Kosovës.

Fokusi kryesor i këtij takimi ishte rritja dhe thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar mes dy prokurorive, duke marrë parasysh sfidat specifike me të cilat përballen Prizreni dhe Kukësi si qytete kufitare. U diskutua gjerësisht për intensifikimin e shkëmbimit të informacioneve, avancimin e koordinimit të veprimeve hetimore dhe forcimin e mekanizmave që mundësojnë reagim më të shpejtë dhe më efikas ndaj veprave penale.

Përfaqësuesit e institucioneve theksuan nevojën për veprim të sinkronizuar në luftimin e kontrabandimit me migrantë, trafikut të narkotikëve dhe formave tjera të krimit të organizuar ndërkufitar, fenomene që paraqesin sfidë serioze për sigurinë dhe sundimin e ligjit në rajon.

Në përmbyllje të takimit, palët u dakorduan për vazhdimin e komunikimit të rregullt dhe forcimin e bashkëpunimit praktik, me qëllim parandalimin dhe luftimin më efektiv të kriminalitetit ndërkufitar.

Prokuroria Themelore në Prizren theksoi se mbetet e përkushtuar ndaj thellimit të partneriteteve me institucionet homologe brenda dhe jashtë vendit, në funksion të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit publik.

Të ngjashme