Detaje të reja janë zbuluar nga krimi i rëndë brenda familjes që ndodhi të martën në Roskovec, ku i moshuari vrau gruan dhe më pas i dha fund jetës.
Sipas burimeve policore djali i çiftit Rrapaj në dëshminë e tij në polici ka thënë se në momentin e ngjarjes së rëndë ka qenë në Fier për një konsultë mjekësore, gjë që është vërtetuar edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë.
Ai ka pohuar se i ati ishte tip konfliktual dhe zënka e fundit ka qenë para 10 ditëve kur i ka hedhur pleh patateve të mbjella në oborrin e shtëpisë dhe 80-vjeçari është acaruar duke i thënë djalit: “Pse u hedh pleh patateve?!”
Konflikti banal ka përfunduar në komisariatin e Rroskovecit, ndërkohë që nëna e tij Dashuria, i dilte gjithmonë në krah të birit. Pasi është kthyer nga Fieri, djali i ka gjetur të pajetë në banesë, raporton A2, transmeton Klankosova.tv.
Fillimisht ka lajmëruar një kushëririn e vet, dhe më pas policinë. Po sipas burimeve policore , arma e përdorur në krim është tip i vjetër dhe dyshohet të ketë qenë e fshehur nën tokë që nga 97- a, pasi ishte me dhe, ndërkohë që ishte shkrepur dy herë, një plumb i ka shkaktuar vdekjen Dashurisë dhe plumbi tjetër ka shkaktuar vdekjen e 80-vjeçarit teksa është vetëvrarë.